Ndërlidhjet

Afganistan - Sakrifica për t’u shkolluar


Nxënëset e helmuara marrin ndihmën e parë

Nxënëset e helmuara marrin ndihmën e parë

Zyrtarët në provincën Takhar të Afganistanit mendojnë se talibanët janë përgjegjës për helmimin e dyshuar të më shumë se 140 nxënëseve dhe mësueseve të tyre.

Incidenti i së martës ka përhapur shqetësime në lidhje me sigurinë e vajzave afgane që bëjnë përpjekje të arsimohen, në kohën kur forcat e huaja përgatiten të lënë vendin në fund të vitit 2014.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë se arsimimi i vajzave afgane nuk do të rrezikohet kur përgjegjësitë e sigurisë të kalojnë te forcat vendore ose si pasojë e ndonjë marrëveshjeje politike ndërmjet qeverisë së presidentit afgan, Hamid Karzai, dhe kryengritësve.

Hafizullah Safi, kreu i Departamentit Shëndetësor të provincës Takhar, thotë se hetuesit “dyshojnë fuqishëm” se rezervuari i furnizimit me ujë të shkollës për vajza në qarkun Rostak, është helmuar nga një militant taliban.

Safi thotë se po testohet edhe uji, edhe gjaku i vajzave të hospitalizuara, si pjesë e hetimeve që po bëjnë autoritetet afgane.

Gjendja e tyre shëndetësore tani është e mirë. Megjithatë, vazhdojnë të tregojnë shenja lodhjeje dhe marramendjeje. Rezultatet e hetimeve tona nuk janë ende gati. Nuk është konfirmuar nëse ato janë helmuar vërtet apo janë ndikuar nga histeria pasi kanë parë, siç kanë thënë vetë ato, një burrë pranë rezervuarit. Mbase njeriu nuk ka bërë asgjë dhe ato janë sëmurë për shkak të efektit fiziologjik. Kemi marrë mostrat e gjakut të pesë vajzave, ashtu si dhe të ujit, dhe i kemi dërguar në Kabul për ta bërë të qartë nëse ishte helmim apo thjesht efekt psikologjik”, thotë Safi.

Talibanët nuk e kanë marrë përgjegjësinë për incidentin. Zëdhënësi i guvernatorit të provincës, Faizullah Tavhidi, thotë se konfirmimi i helmimit do të vërtetonte dyshimet e hetuesve për përfshirje të talibanëve, pasi këta të fundit kundërshtojnë shkollimin e vajzave.

“Nëse vërtetohet se uji është helmuar ose janë hedhur materie në të për të dëmtuar shëndetin e vajzave, është e qartë se një gjë e tillë është bërë nga armiqtë e Afganistanit, nga ata që nuk duan që fëmijët e vendit të vazhdojnë studimet”, thotë Tavhidi.

Edhe pse talibanët kanë marrë përgjegjësinë për dhunë relativisht të paktë në provincën Takhar, krahasuar me pjesët e tjera të Afganistanit, Tavhidi thotë se militantët talibanë duket të kenë infiltruar provincën në vitet e fundit.

Disa rrjete sekrete të talibanëve janë aktive në provincë dhe është e qartë se ato po bëjnë përpjekje të dëmtojnë shoqërinë, duke përdorur metoda të ndryshme”, thotë Tavhidi.

Kur kishte pushtetin në Kabul nga viti 1996 deri më 2001, regjimi taliban kishte ndaluar shkollimin e vajzave. Që atëherë, luftëtarët talibanë kanë vazhduar të kenë në shënjestër shkollat e vajzave në zonat që kontrollojnë, duke përdorur raketat dhe mortajat për t’i sulmuar, pastaj zjarrin, helmin, madje edhe duke hedhur acid në fytyrat e vajzave të reja. Militantët u kanë prerë kokën edhe disa mësuesve që mësonin vajzat.

Zyrtarët e Ministrisë afgane të Arsimit kanë konfirmuar të paktën 17 sulme me gaz helmues në shkollat e vajzave në Afganistan gjatë vitit 2010 – përfshirë gjashtë sulme të tilla në Kabil – të cilat mendohet se janë kryer nga talibanët apo simpatizantët e tyre.

Skeptikët minimizojnë shumë nga këto incidente, duke thënë se vala e sulmeve të raportuara me gaz ka qenë në masë të madhe rezultat i histerisë masive.

Por, mjekët, që kanë trajtuar viktimat, thonë se përdorimi i helmit ka qenë evident dhe se sulmet e tilla kanë ndodhur disa herë në Afganistan.

Një vit më herët, më 2009, pesë vajza afgane kanë rënë për kohë të shkurtër në komë dhe afro 100 të tjera i janë nënshtruar trajtimit pas sulmit të dyshuar me gaz në shkollën e tyre. Simpatizantët talibanë janë fajësuar edhe për këtë sulm.(v.t.)
XS
SM
MD
LG