Ndërlidhjet

Sektori bujqësisë: Problem kamatat e larta


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Normat e larta të interesit për kredi në sektorin e bujqësisë, kanë bërë që kjo fushë të mbetet më e pazhvilluara në ekonominë kosovare, edhe pse autoritetet kompetente janë fokusuar në zhvillimin e bujqësisë, si sektor prioritar i zhvillimit të vendit.

Sipas disa hulumtimeve të bëra nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, kamatat e kredive për sektorin e bujqësisë sillen nga 15 deri në 24 për qind, varësisht nga bankat komerciale dhe shuma e kredisë.

Rudina Heroi, nga ky institut, thotë se këto norma janë më të lartat, nëse krahasohen me llojet tjera të kredive.

“Jo të gjitha bankat japin kredi për bujqësi, për arsye se ata këtë lloj të kredisë e shohin si më të rrezikshmin. Normat e larta kërkojnë siguri më të madhe, hipotekë më shumë, dhe të gjitha këto, në një farë forme, e ngadalësojnë apo e pamundësojnë lëshimin e kredive. Prandaj, mendoj se normat po ndikojnë që sektori i bujqësisë të jetë më i pazhvilluari”, thotë Heroi.

Edhe zyrtarë të bankave komerciale në Kosovë, pranojnë se kamatat e kredive për sektorin e bujqësisë arrijnë deri në 21 për qind, po kjo nuk ndikon në uljen e interesimit të klientëve në marrjen e këtyre kredive.


Iliriana Tahiraj, zyrtare për marrëdhënie me publikun, në Raiffeisen Bank në Kosovë, thotë se kamata e kredive është më e lartë për shkak të rrezikut që karakterizon këtë sektor.

“Nëse e marrim në përgjithësi për kredi në shuma mbi 10 mijë euro, norma e interesit është afër 13 për qind. Mirëpo, norma e kredisë për shumat deri në 5000 euro është 21 për qind. Kjo normë caktohet për shkak se vlerësohet që rreziku për këtë lloj të kredive është shumë i lartë”, pohon Tahiraj.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se kreditë e lëshuara nga të gjitha bankat për sektorin e bujqësisë, përfaqësojnë pjesën më të vogël të kredive të përgjithshme.

Adil Behramaj, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thekson se vitin e kaluar vetëm 3.6 për qind ka qenë pjesëmarrja e kredive për fushën e bujqësisë, për shkak se normat e interesit për këtë sektor, sipas tij, kanë arritur në 25 për qind. Kjo normë, thotë Behramaj, po dekurajon fermerët kosovarë për të aplikuar për kredi.

“Nëse bankat vazhdojnë të praktikojnë kritere të rrepta dhe norma të larta të interesit, e cilat vitin e kaluar kanë arritur në 25 për qind, atëherë kjo pjesëmarrje do të jetë edhe më e vogël në këtë vit”, thekson Behramaj.


Ai shprehet se me qëllim të përmirësimit të aktiviteteve bujqësore, Ministria e Bujqësisë është në proces të krijimit të një fondi garantues për kredi bujqësore, fond ky që deri nga mesi i vitit pritet të funksionalizohet.

“Për krijimin e këtij fondi, i cili bankave do t’u ofrohet si siguri bankare në vlerë prej 5 milionë eurosh, ne kemi edhe përkrahjen e USAID-it. Tani, së bashku me ekspertët e kësaj organizate, ne jemi në përfundim të procesit të negociatave me bankat, për gjetjen e një modaliteti të përshtatshëm, i cili do të rezultonte me uljen e normave të interesit, me mbulimin e një pjesë të kolateralit dhe me krijimin e kushteve më të mira për kredi bujqësore”, sqaron Behramaj.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katrorë. Nga kjo sipërfaqe, tokë bujqësore llogariten 577 mijë hektarë, edhe pse kjo sipërfaqe e tokës së punuar nga ekspertë të bujqësisë, vlerësohet mjaft e ulët, që për kokë banori llogaritet të jetë 0.15 hektar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG