Ndërlidhjet

Kosovë - 90% e qytetarëve mbështesin lidershipin amerikan


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pse imazhi i udhëheqjes amerikane po tregon disa plasaritje në vitin e tretë të presidencës së Barak Obamës, ai mbetet më pozitiv se vitet e fundit të administratës Bush, bën të ditur sondazhi më i ri i Institutit të Hulumtimeve - Gallup.

Në 136 shtete, miratimi mesatar i lidershipit amerikan në vitin 2011 ka qëndruar në 46 për qind – relativisht i pandryshuar nga mesatarja prej 47% në 116 vende, më 2010.

Megjithatë, sipas raportit të Gallupit, vlerësimet e lidershipit në 2011-ën kanë dështuar të rimarrin vrullin që kanë humbur më 2010 dhe kanë mbetur kryesisht statike, përderisa në disa vende edhe janë zmbrapsur.

Gallupi ka anketuar më shumë vende në vitin 2011 sesa më 2010, por duke marrë parasysh vetëm vendet që janë anketuar edhe në 2010-ën, edhe në 2011-ën, del se mesatarja është ulur në 43 për qind – çfarë sugjeron se Shtetet e Bashkuara kanë humbur ca nga pozita e tyre.

Një vështrim nga afër se ku lidershipi amerikan qëndron në nivelet rajonale dhe vendore, zbulon zona të veçantë të fuqisë dhe të dobësisë. Imazhi më i fuqishëm i udhëheqësisë së Shteteve të Bashkuara gjatë 2011-ës ka vazhduar të jetë në Afrikë, me miratimin e tij me shumicë në Afrikën sub-sahariane.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të fundit, kjo mbështetje e fortë në nënkontinent po tregon shenja dobësie për herë të parë gjatë administratës Obama.

Pas dy vjetësh me radhë të miratimit në 80 për qind, mbështetja amerikane në Afrikë ka rënë në mesataren prej 74% gjatë 2011-ës.

Humbjet dyshifrore në 10 shtete nën-sahariane, përfshirë 18 për qind rënie në Afrikën e Jugut, kanë definuar rëniet, të cilat, në thelb, hedhin poshtë fitimet pas tranzicionit nga administrata e Bushit në atë të Obamës.

Megjithatë, të paktën dy të tretat e banorëve të anketuar në 33 shtete nën-sahariane kanë miratuar performancën e punës së lidershipit amerikan.

Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara, sipas Gallupit, mbetet shumë pak e njohur në Afrikën e Veriut.

Asnjë vlerësim atje nuk kalon 40 për qind. Interesante, sipas sondazhit, është se vlerësimet në Afrikën e Veriut pas Pranverës Arabe nuk janë as më të këqija, as më të mira në shumicën e vendeve, pos Tunizisë dhe Marokut, ku ato paraqiten pak më të larta.

Në Amerikë, miratimi i punës së lidershipit është bërë me vlerësime të larta kur Obama ka marrë detyrën, por që nga ajo kohë, ato kanë rënë.

Edhe pse rëniet nuk i kanë fshirë plotësisht rritjet, trendi duket të lëvizë në këtë drejtim. Mesatarja e miratimit ka rënë në 40 për qind në 2011-ën, nga 46 për qind sa ka qenë më 2010.

Sipas Gallupit, miratimi ka rënë dukeshim për të dytin vit me radhë në shumë vende të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, të cilat janë anketuar. Rënie dyshifrore janë shënuar në disa vende kyçe, përfshirë Kolumbinë dhe Panamanë.

Në Meksikë, vijon raporti, shumica e banorëve të anketuar kanë qenë të pasigurt me udhëheqjen e fqinjit të tyre verior, ku 42 për qind e tyre kanë thënë se nuk kanë ndonjë opinion.

Sa i përket Evropës, miratimi mesatar i lidershipit amerikan ka qenë dy herë më i lartë në 2011-ën sesa në vitet e fundit të administratës së Bushit, por trendi, sipas Gallupit, po lëviz në drejtim negativ.

Mesatarja prej 42% në 37 vende të anketuara ka miratuar udhëheqësinë e SHBA-së vitin e kaluar, por që është më pak se 47 për qind në vitin 2009.

Raporti thotë Shtetet e Bashkuara ruajnë mbështetjen e shumicës në tetë vende evropiane. Nga to prin Kosova me 90 për qind, për t’u pasuar nga Shqipëria, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Maqedonia, Hungaria dhe Lituania.

Megjithatë, vlerësimi për to ka rënë në vendet si Franca, Gjermania, Spanja dhe Suedia. Në Francë dhe në Spanjë, miratimi ka rënë nën nivelin e shumicës.

Vlerësimet, sipas Gallupit, nuk ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në gjysmën e 37 vendeve të anketuara, çfarë mund të jetë indikator pozitiv, marrë parasysh rëniet e vlerësimeve në disa vende kryesore dhe paqëndrueshmërinë e situatës ekonomike në Evropë dhe SHBA.

Derisa administrata e Obamës ka zhvendosur fokusin e politikës së saj të jashtme në Azi gjatë 2011-ës, sondazhi i Gallupit ka gjetur se miratimi i lidershipit amerikan në rajon ka mbetur në përgjithësi stabil ndërmjet 2010-ës dhe 2011-ës. Mesatarja prej 39% më 2011 ka qenë më e lartë se çdo vlerësim gjatë administratës së Bushit.

Rezultatet janë bazuar në intervista ballë për ballë ose telefonike me afro 1,000 të rritur, nga mosha 15 vjeç e më lart, të kryera gjatë vitit 2010 në 116 vende dhe gjatë 2011-ës në 136 vende.
XS
SM
MD
LG