Ndërlidhjet


Në Kosovë, gjatë vitit infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 120 mijë raste.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse është 5 mijë e 840 në 100 mijë banorë.

Ariana Kalaveshi, shefe e njësisë për sëmundje ngjitëse, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se sa i përket rasteve të vdekjeve, prej 25 deri në 50 persona humbin jetën brenda vitit nga këto sëmundje.

Sa i përket numrit të rasteve të vdekjes, kryesisht vdekjet ndodhin në klinikën e pediatrisë, aty ku ka më shumë sëmundje ngjitëse, klinika e infektives, spitalet rajonale që kanë pacientë me sëmundje ngjitëse”, shprehet ajo.

Në Kosovë, vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë shpërthim epidemik.

Por, rastet e raportuara me sëmundje ngjitëse kanë ardhur kryesisht përmes ujit, ushqimit dhe infrastrukturës jo të mirë, si dhe pjesët rurale që ende furnizohen prej puseve me ujë për pije.

Andaj, sipas zyrtarëve shëndetësorë, kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me sëmundje ngjitëse.

Shemsedin Dreshaj, ushtrues detyre i drejtorit në klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare, thotë se sëmundjet ngjitëse në Kosovë kanë karakter të paraqitjes së kohëpaskohshme.

Kosova ballafaqohet me një seri sëmundjesh infektive që kanë karakter të paraqitjes së kohëpaskohshme, si epidemike, po ashtu edhe endemike, si meningjitit, si gjendjet septike meningo - cefalitet e rënda, por edhe helmimet me ushqim bakterial, meningjitit e natyrës virale, por edhe ethet hemorragjike, në sezonin e pranverës dhe verës”, thotë Dreshaj.

Sipas zotit Dreshaj, në klinikën infektive, brenda vitit vdesin nga 10 deri në 20 persona, si pasojë e sëmundjeve ngjitëse.

Ai shton se kjo ndodh edhe përkundër stafit profesional shëndetësor dhe furnizimit të mirë me barna dhe material shpenzues.

Klinika infektive është e pajisur mjaft mirë me staf profesional, po ashtu edhe me personelin mbështetës. Edhe me barna qëndrojmë mirë, dhe shpresojmë që edhe këtë pranverë dhe verë do ta mbulojmë mirë. Kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë, javën e kaluar, terapi për të sëmurët me ethe hemorragjike dhe jemi në gjendje gatishmërie për raste eventuale”, thekson ai.

Por, prej kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është pajisur me softuer të ri elektronik, vitin e kaluar, kjo metodë ka mundësuar ë përcjelljen e sëmundjeve ngjitëse me përpikëri.

Softueri i ri ka ndikuar në punën tonë për t’i gjeneruar rastet, që janë të infektuar. E kemi të lehtësuar puna shumë. Është raportuar shumë mirë për shkak të softuerit, por edhe për shkak të përvojës që mjekët kanë”, thotë doktoresha Ariana Kalaveshi.

Sidoqoftë, Kosova vitet e fundit është ballafaquar me sëmundje ngjitëse tropikale, si malaria, e që më herët Kosova nuk ka pasur raste të lajmëruara të kësaj sëmundjeje.

Si pasojë e malaries, vitin e kaluar, në klinikën infektive ka humbur jetën një person.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG