Ndërlidhjet

AGPK: Kuvendi përdhunoi lirinë e shtypit


Ilustrim
Ilustrim
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka shprehur shqetësimin për formën e kalimit në Kuvend të Projektkodit Penal të Republikës së Kosovës.

"Projektkodi, ashtu siç është votuar sot nga Kuvendi i Kosovës, përdhunon, shkel dhe pamundëson lirinë e shtypit".

"AGPK ka rekomanduar që Neni 37, i cili flet për përgjegjësinë e autorëve, kryeredaktorëve, botuesve dhe të tjerëve, të largohet nga Projektkodi Penal. Ky nen rregullon përgjegjësinë e redaktorëve për një vepër penale që nuk është e përcaktuar me vetë Projektkodin Penal. Për më tepër, përgjegjësia e personave juridikë rregullohet me ligj të veçantë dhe AGPK nuk e sheh të nevojshme që vetëm për mediat të parashihet përgjegjësi penale shtesë. Përgjegjësia e tillë vetëm sa mund të keqpërdoret nga sistemi i drejtësisë", thuhet në komunikatën e AGPK-së.

Kjo e fundit ka kërkuar që mbrojtja e burimeve, që është paraparë me Nenin 38, të ndryshohet.

AGPK-ja thotë se, sipas këtij neni, gjykata mund të kërkojë zbulimin e burimeve kur gazetari shkruan për vepra penale, si degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, përvetësimi në detyrë, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës i ka bërë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që të kthejë këtë ligj prapa në Kuvendin e Kosovës dhe të mos e nënshkruajë "një akt që fundos demokracinë dhe lirinë e shtypit në Kosovë".
XS
SM
MD
LG