Ndërlidhjet

SHBA, ICO mirëpresin miratimin e ligjeve për Prizrenin e Hoçën e Madhe


Prizren (Foto arkiv)
Prizren (Foto arkiv)
Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes një deklarate për media, është shprehur e kënaqur që “Kuvendi i Kosovës ndërmori veprim për ta lëvizur shtetin më afër qëllimit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.”

Sipas deklaratës, miratimi i katër ligjeve të mbetura të kërkuara nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS) dhe të pranuara si obligime nga ana e Kuvendit në kohën e pavarësisë, paraqet një kthesë të rëndësishme.

Bëhet fjalë për ligjet për Prizrenin, Hoçën e Madhe, Procedurat e Administratës Tatimore, dhe për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, që Ambasada amerikane i ka vlerësuar se janë të mirë për Kosovën.

“Ne e urojmë Kuvendin Kombëtar dhe udhëheqësinë e tij për angazhimin dhe diskutimin konstruktiv gjatë seancës së sotme. Ne i drejtojmë lëvdata Qeverisë së Kosovës për përkushtimin e saj në propozimin e legjislacionit që i sjell dobi popullit të Kosovës dhe që i përmbushë zotimet ndërkombëtare të shtetit, dhe për pasjen e kurajës që t’i realizojë të gjitha këto masa. Ne i shprehim mirënjohje të gjithë atyre që punuan sot për të vënë interesin e Kosovës të parin”, thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane i ka shprehur mirënjohje Kuvendit për miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, mirëpriti të premten miratimin e ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe fshatin Hoçë e Madhe nga Kuvendi i Kosovës.

“Miratimi i këtyre dy ligjeve e forcon kornizën ligjore të Kosovës për mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, miratimi i këtyre dy ligjeve e afron Kosovën një hap më afër plotësimit të angazhimeve sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin si dhe siguron respektimin e të drejtave dhe interesave të të gjitha palëve të interesuara”, ka thënë përmes një deklarate për media, shefi i ICO-s, Piter Feith.

“Prizreni dhe Hoça e Madhe janë jetike për trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës. Ruajtja e kësaj trashëgimie është e rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë Feith për të shtuar se “Këto ligje mundësojnë zhvillimin harmonik dhe të qëndrueshëm të qendrës historike të Prizrenit dhe fshatit Hoçë e Madhe, derisa sigurojnë ruajtjen e karakterit dhe bukurisë së këtyre dy vendeve unike.”

ICR-ja pret zbatimin e këtyre ligjeve sa më parë, përfshirë themelimin e dy këshillave që parashihen nga ato, thuhet në njoftim.(a.i.)
XS
SM
MD
LG