Ndërlidhjet

Shqipëri: Shtohen rastet me kancer në gji


Qeliza kanceri
Qeliza kanceri
Vjollca është 49 vjeç, ajo vjen nga qyteti i Gjirokastrës për t’u trajtuar me kimioterapi në Spitalin Onkologjik në Tiranë. Vjollca, nënë e tre fëmijëve, e mësoi dhjetorin e vitit që shkoi se vuante nga kanceri i gjirit. Sigurisht, tronditja ishte e madhe, siç rrëfen ajo, por ishte gjithashtu një moment për t’u treguar e fortë.

“Përballesh me një fakt që thua, tani kam një shoqe vetëm, kuptohet kush është, vdekja. Por, duhet të luftosh shumë! Pastaj u futa në internet për të marrë informacion, për të komunikuar me njerëz kë e kishin këtë dhe më ndihmoi shumë”, rrëfen Vjollca.

Edhe Maria, nënë e dy fëmijëve, dy vjet më parë mësoi se kishte kancer në gji.

“Unë kam dy vjet që jam e sëmurë me kancer, tash jam 47 vjeçe”, tregon Maria.

Të dhënat zyrtare flasin për të paktën 400 raste të reja çdo vit, të grave që preken nga kanceri i gjirit. Thënë ndryshe, një në tetë gra në Shqipëri, preket nga kjo sëmundje.

Dhurata Tarifa, shefe e Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik në Tiranë, thotë se ndryshimi i stilit të jetës është një prej faktorëve që ka stimuluar këtë rritje të incidencës së kancerit në vitet e fundit.

“Stili i jetës, duke filluar që nga numri i lindjeve, ushqyerja me gji e fëmijëve, me dietën ushqimore, kam parasysh yndyrën shtazore, e cila nuk ka lidhje direkt me sëmundjen, por indirekt. Yndyra shtazore ndikon në shtimin e indit dhjamor në organizëm. Gratë obeze janë më të rrezikuara. Por, nuk do të thotë që çdo grua obeze është e rrezikuar nga kanceri i gjirit; jo çdo grua që s’ka lindur fëmijë do t’i zhvillohet kanceri gjiri. Janë disa faktorë bashkë që ndikojnë duke vazhduar edhe me faktorët gjenetikë”, thotë Tarifa.

Kanceri i gjirit, sipas Tarifës, zë vendin e parë në tumoret malinjë që prekin gratë. Shqetësues është fakti se ka një rritje të numrit të grave nën 50 vjeç që diagnostikohen me këtë sëmundje dhe një ulje të atyre mbi 50 vjeç. Për mjeken Tarifa mosha, kur shfaqet sëmundja, merr rëndësi të posaçme në trajtimin e pacientit.

Te gratë e reja, mosha 35 vjeç deri në 50 vjeç, kanceri i gjirit sillet më agresiv në krahasim me moshat post-menopauzë. Kjo, sepse gratë e reja deri në moshën 50 vjeç janë nën ndikimin e hormoneve estrogjen më shumë sesa gratë mbi moshën 50 vjeç”, sqaron Dhurata Tarifa.

Stadi i sëmundjes është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që ndikon trajtimin e pacientëve. Shefja e kimioterapisë, DhurataTarifa, thotë se sot, gjen gjithnjë e më pak gra, me një fazë të avancuar të kancerit të gjirit.

“Në vitet e mëparshme ne hasnim gjithnjë e më shumë raste të avancuara, ndërsa në ditët e sotme i gjejmë rrallë këto stade - stade të treta apo të katërta. Një tumor i madh i mjekuar me mjete popullore që paraqitet te mjeku në një stad shumë të avancuar, është shumë vështirë të trajtohet dhe si pasojë edhe prognoza është shumë më e varfër”, thekson Tarifa.

Në një kohë kur numri i të sëmurëve me kancer të gjirit është rritur, vdekshmëria ka shënuar ulje. Kjo për shkak të metodave të avancuara për trajtim. Kanceri i gjirit, sipas mjekëve, mund të trajtohet me ndërhyrje kirurgjikale, me rrezatim, me kimioterapi, target terapi, apo dhe hormono-terapi. Sot një fazë e avancuar e kancerit të gjirit mund të trajtohet si një sëmundje kronike, duke i siguruar pacientit cilësi jetese.

“Kjo ndodh për dy arsye: një sepse këto gra janë diagnostikuar në stade më të hershme. Sa më herët të jetë stadi, aq më e mirë është dhe prognoza. Gjithashtu, ulja e mortalitetit ka dhe arsyen tjetër të rëndësishme, sepse janë zhvilluar shumë taktikat e trajtimeve, trajtimet sistematike. Kështu që zhvillimi i këtyre trajtimeve të reja, bën që jetëgjatësia e këtyre grave të jetë më e lartë dhe të ulet mortaliteti”, shton Tarifa.

Por, kanceri i gjirit është vetëm një prej shumë llojeve të kancerit që prekin popullatën në Shqipëri. Raportet tregojnë për të paktën 5 mijë raste të reja çdo vit në Shqipëri, shifra këto që duken alarmante. Mjekët apelojnë për diagnostikime periodike, pasi zbulimi me kohë i sëmundjes është garancia për jetë të gjatë.
XS
SM
MD
LG