Ndërlidhjet

Shkup: Kriminaliteti nuk ka ngjyra etnike


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Raportet e mira ndërfqinjësore mes vendeve të rajonit, janë po aq të rëndësishme për kapërcimin e ngjarjeve të rënda, sa edhe kapaciteti i institucioneve shtetërore për të vepruar shpejt dhe me profesionalizëm në zbardhjen e autorëve të një krimi të rëndë siç është vrasja e pesëfishtë e të rinjve maqedonas në Liqenin e Hekuranës në periferi të Shkupit, thonë analistët politikë.

Alajdin Demiri, ish-diplomat, konsideron se vizita e fundit e presidentit shqiptar, Bamir Topi, në Maqedoni, bëhet në një situatë tejet sensitive, në të cilën ndodhet vendi. Ai thotë se, “është ndezur alarmi diplomatik, sipas të cilit ofensiva diplomatike e Tiranës zyrtare shihet si tentim që të mbyllet kontesti në rritje mes shqiptarëve dhe maqedonasve në vend”.

“Vizita e fundit e presidentit Topi është më shumë në shërbim të dekonspirimit të ideve konspirative, të cilat janë duke u zhvilluar; është në funksion të esëllimit të politikës maqedonase edhe të implikimit të shërbimeve, posaçërisht atyre serbe dhe mobilizimit të një politike më esëll të Maqedonisë ndaj shqiptarëve”, thotë Demiri.

Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Sllobodan Çashule, thotë se marrëdhëniet ndërfqinjësore në Ballkan janë komplekse, megjithatë, sipas tij, Maqedonia edhe në këtë rast të vështirë dëshmoi se arrin me sukses t’i menaxhojë problemet kriminale, duke ruajtur me kujdes raportet ndëretnike. Çashule thekson se qytetarët arritën të ndërtojnë qëndrim të unifikuar duke i bërë secilit me dije se kriminaliteti nuk ka ngjyrë etnike.

“Ne mund t`u tregojmë vendeve tjera, pra mund të jemi shembull i mirë si ne arrijmë të zgjidhim probleme të vështira , një situatë monstruoze siç është akti kriminal i vrasjes së pesëfishtë në fshatin Smilovë, që askush nga ne nuk e dëshiron. Nuk lejuam që disa qarqe nga vendet fqinje, si Serbia, përmes medieve, të na i prishë marrëdhëniet ndëretnike. As maqedonasit, e as shqiptarët nuk duan destabilizim të Maqedonisë. Po shihet fare mirë se kush dëshiron destabilizim të rajonit. Shoqëria jonë tregoi pjekuri, maturi, dhe të gjithë qytetarët bashkë pa dallim, shqiptarë, maqedonas, turq e të tjerë qëndruam dhe e menaxhuam mirë situatën e krijuar pas zhvillimeve të fundit”, thekson Çashule.

Ai shton se, “edhe krahas krizave që na ndodhin në Maqedoni, të dy etnitetet, si ai maqedonas, po dhe ai shqiptar, tregojnë pjekuri të lartë shoqërore dhe nuk lejojnë që të cenohet një ndër shtyllat kryesore të marrëveshjes së Ohrit - marrëdhëniet e mira ndëretnike”.

Ndërkaq, Alajdin Demiri konsideron se Maqedonia gjendet para një sprove shumë të vështirë , atë dëshmimit të kapaciteteve institucionale dhe menaxhimit të raporteve ndëretnike në një kohë kur, siç shprehet ai, kupa e quajtur çështje shqiptare është mbushur kudo në Ballkan.

“Këto ditë Maqedonia është në sprova shumë të rënda të vrasjeve misterioze, të cilat duhet të zbardhen; është në sprova të një projekti anti-shqiptar, i cili tani është gjithnjë duke u hapur, ngase hapet një konflikt shqiptar në të vërtetë. Mundësitë për këtë janë të mëdha, ngase nuk është problemi vetëm i shqiptarëve në Maqedoni, por është konflikt i mundshëm me përmasa më të gjera”, konsideron Demiri.
XS
SM
MD
LG