Ndërlidhjet

NYT: Tre të tjerë largohen nga Shërbimi Sekret


Ilustrim
Ilustrim

Shërbimi Sekret ka shpallur të premten se tre të punësuar nën hetime, lidhur me sjellje të këqija me prostituta javën e kaluar në Kolumbi, kanë vendosur të paraqesin dorëheqje, kështu që tash numri i njerëzve që janë detyruar të largohen nga agjencia ka arritur në pesë.

Një person tjetër është liruar nga akuzat për sjellje të keqe, por ai ende ballafaqohet me “aksion përkatës administrativ”, tha agjencia, duke shtuar se hetimet janë zgjeruar me përfshirjen e një personi, i cili fillimisht nuk ishte nën hetime.

“Në këtë pikë, pesë të punësuar vazhdojnë të jenë në pushim administrativ, ndërsa pastërtia e tyre e sigurisë mbetet e suspenduar në pritje të përfundimit të këtij hetimi”, tha agjencia me anë të një deklarate me shkrim.

Agjencia tha se ka vazhduar t’i hetojë të punësuarit e tjerë “me përdorimin e teknikave hetuese në dispozicion në agjencinë tonë”, përfshirë edhe poligrafët.

Po ashtu të premten, presidenti Barak Obama, në zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, u takua me drejtorin e Shërbimit Sekret, Mark Saliven, i cili e njoftoi presidentin për hetimin.

Shpallja e Shërbimit Sekret për dorëheqje të të punësuarve, u bë disa orë pasi ushtria e Shteteve të Bashkuara e qartësoi shtrirjen e hetimit të saj lidhur me dyshimet për sjellje të keqe nga ana e pjesëtarëve ushtarakë të shërbimit, javën e kaluar, para arritjes së presidentit amerikan në Kartaxhenë të Kolumbisë, për të marrë pjesë në samitin rajonal.

Zëdhënësi i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara në Majami, në një kumtesë të premten, tha se tash hetimi është i fokusuar në 11 pjesëtarë të shërbimit, që paraqet një më tepër nga ç’ishte zbuluar në fillim.

Ata janë gjashtë pjesëtarë të Forcave Speciale të Armatës, që sipas zëdhënësit Skot Malkom, përbëhet nga dy pjesëtarë të marinës dhe dy të flotës detare, që e kanë selinë në San Diego, ndërsa një pjesëtar i Forcës Ajrore ishte nga Çarleston.

“Ata janë kthyer në komandat e tyre amë”, tha zëdhënësi Malkom dhe shtoi se, “derisa ata nuk janë ende të akuzuar me diçka të specifikuar, ata nuk janë nën masa formale kufizuese”.

Megjithatë, sipas tij, “kërkohet që ata të mbesin në stacionet e tyre vendëse derisa oficeri hetues të kryejë punë me ta”.

Zëdhënësi Malkom tha se ushtria po i këmben informacionet me Shërbimin Sekret, por “jashtë këtyre shënimeve krahasuese, ekzistojnë dy hetime të ndara, të veçanta, pasi secila agjenci i ka rregullat e veta të udhëheqjes”.

Njëherësh, femra që kishte thënë se e ka kaluar natën me një të punësuar të Shërbimit Sekret, ofroi më tepër detaje nga ngjarja në klubin e natës, ku ka filluar skandali.

Kjo femër, që kishte thënë se nuk ka pasur marrëdhënie seksuale me të punësuarin, theksoi se një grup prej disa amerikanësh, që beson se kishte edhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret, ishin në klubin “Tu Candela” në Kartaxhenë.

Sipas saj, shumica dukej se kishin pirë në mënyrë të moderuar. Por, asaj i kujtohet se dy persona që kishin pirë shumë, përfshirë njërin, për të cilin ajo tha se vallëzonte dhe vepronte në mënyrë të ekzagjeruar.

Tjetri person, tha kjo femër, që kishte pirë po ashtu shumë, e kishte marrë me vete një shoqe të saj prostitutë, por më vonë kishte refuzuar të paguante për shërbimet e saj.

Nga ky kontest ishte shkaktuar afera, që e kishte shtyrë Shërbimin Sekret që grupin e agjentëve ta kthejë në shtëpi, para arritjes së presidentit Obama. (f. b.)
XS
SM
MD
LG