Ndërlidhjet

VOX

Të rinjtë dhe ambientalizmi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, të rinjtë kosovarë vlerësojnë se gjendja mjedisore në vend paraqitet shumë rëndë.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, disa të rinj konsiderojnë se ajri i ndotur, degradimi i lumenjve dhe fushave të gjelbëruara, mosmenaxhimi i mbeturinave dhe deponitë e egra, janë vetëm disa nga faktorët që jetën në Kosovë e bëjnë jo të shëndetshme. Ata, madje, thonë se një pjesë të fajit për ambientin e ndotur në Kosovë e ka vetë popullata.

Qytetarët nuk kontribuojnë fare në ruajtjen e planetit, thotë i riu nga Prishtina, Ylli Berisha, student në Universitetin e Prishtinës:



“Gjendja nuk është e mirë, por duhet të punojmë të gjithë së bashku, dhe jo vetëm njerëzit/punëtorët përkatës për mirëmbajtje të qytetit. Në këtë mënyrë mund të kemi një ambient më të pastër. Shumicën e fajit e kanë qytetarët, sepse ata nuk duhet t’i hedhin mbeturinat rrugës kudo që janë, por megjithatë, duhet të ketë edhe më shumë vende ku hidhen mbeturinat. Unë banoj në lagjen ‘Kolovicë’ dhe nga Fakulteti Ekonomik deri në ‘Kolovicë’, ka vetëm një vend ku mund të hidhen mbeturinat”, tregon Ylli Berisha.

Bujar Çitaku, 23 vjeç, thotë se në Kosovë shumica e qytetarëve mjedisin ku jetojnë, ende nuk e konsiderojnë si pjesë të veten, pasi, shprehet ai, përtej oborrit të shtëpisë çdo gjë për ta është e huaja:

Nuk ka institucione të mjaftueshme për grumbullimin e mbeturinave. Duhet të ruajmë ambientin më shumë, mos t’i hedhim mbeturinat ku nuk duhet. Ka disa shporta po jo edhe të mjaftueshme. Për çudi, shtëpitë e qytetarëve janë shumë të pastra, ndërsa jashtë është shumë bërllok!”.

Ndërsa, 30-vjeçarja Majlinda Thaçi, thotë se njerëzit që nuk kontribuojnë në përmirësimin e ambientit, nuk e dinë vlerën e Tokës:

“Ambienti është i ndotur, nuk jemi të kënaqur . Nuk duhet të presim që vetëm një ditë, gjatë gjithë vitit nuk rregullohet çështja e ambientit. Pra, ambienti ka një kuptim më të gjerë, që nuk është vetëm ambienti jashtë që ne e shohim, por është edhe ambienti brenda. Mendoj se njerëzit duhet të vetëdijesohen pak më shumë, por edhe institucionet që janë përgjegjëse për ruajtjen e ambientit”.

Në Kosovë, sidomos në qytete, është shkatërruar toka e gjelbëruar - tashmë ekzistojnë vetëm ndërtime, shprehet e shqetësuar Laura Jashari, për të shtuar se me këto ndërtime në masë të madhe po ndotet ajri në Kosovë.

“Tashmë kanë mbetur shumë pak vende të gjelbëruara, të gjitha hapësirat janë mbushur me ndërtime. Nuk ka vend për ndonjë aktivitet të lirë”, shprehet Laura Jashari.

Ndërsa, i riu tjetër Berat Jahaj, shprehet se me gjithë vështirësitë, duhet të bëhen përpjekje që ambienti të jetë në nivel:

Një ndër hapësirat e pakta me gjelbrim në Prishtinë, para Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare.

Një ndër hapësirat e pakta me gjelbrim në Prishtinë, para Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare.

“Ambienti nuk është në nivel të duhur, por duhet të mundohemi që ta mbajmë disi në nivel”.

Menaxhimi i mbeturinave është një ndër sfidat kryesore mjedisore në Kosovë, thotë Arbëresha Rama, studentet e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës.

“Mbeturina çdo ditë e më tepër shihen nëpër rrugë. Qytetarët kanë një pjesë të madhe të fajit - duhet të ketë edhe më tepër vende ku grumbullohen mbeturinat, mendoj se do të ishte zvogëluar sasia e mbeturinave nëpër rrugë”, thotë Arbëresha Rama.

Ndërkaq, një qytetar tjetër, Albin Gashi, shprehet i habitur me veprimet e qytetarëve, kur i hedhin mbeturinat nëpër rrugë.

“Nuk është edhe aq dobët, por mund të jetë edhe më mirë. Sipas meje duhet të rritet vetëdijesimi i qytetarëve, në mënyrë që hedhja e mbeturinave të mos ndodh vend e pa vend”, thekson Albin Gashi.

Ndotja e ambientit në Kosovë i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet, të cilat i posedon Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto vlera tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuarat.

Dita e Tokës është një ngjarje globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për problemet e mjedisit. Ky është viti i 42-të që shënohet Dita e Tokës.

Për herë të parë kjo ditë u mbajt në vitin 1970 në Shtetet e Bashkuara dhe tani shënohet në 192 vende.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG