Ndërlidhjet

logo-print

Situatë e qetë në Shkup, hetohet vrasja


Ilustrim

Ilustrim

Kanë vazhduar edhe të dielën hetimet lidhur me vrasjen e pesëfishtë më 12 prill në afërsi të fshatit Smilkovcë në periferi të Shkupit, ndërsa për dallim nga ditët e para të krimit, tani situata duket më e pak tensionuar.

Nëpër rrugët e kryeqytetit, në pikat që konsiderohen të ndjeshme, ende vërehen forca speciale të policisë, por tani në numër më të vogël.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë duke kontrolluar të gjitha video-xhirimet që janë siguruar nga objekte të ndryshme, e që mund të ndihmojnë në masë të madhe hetimin e ngjarjes. Pista kryesore mbetet ajo e veturës së zbuluar që tashmë, sipas MPB-së, është verifikuar se mbrëmjen kritike ka qenë e pranishme në vendin e krimit.

Por, nga opozita maqedonase thonë se rasti duhet të zbardhet sa më parë që të jetë e mundur, pasi, sipas LSDM-së, gjendja në vend është e tendosur edhe atë me fajin e pushtetit, i cili, sipas saj, është treguar i paaftë të përballet me sfidat, përfshirë dhe këtë të vrasjes së pesëfishtë.

"Organet shtetërore duhet në mënyrë të shpejtë, efikase dhe profesionale të zbatojnë hetimin deri në fund dhe autorët, sa më parë t'i nxjerrin para drejtësisë ", thotë Andrej Petrov nga LSDM-j duke komentuar zotimin e një dite më parë të kryeministrit Nikolla Gruevski se vrasësit do të përballen shumë shpejt me drejtësinë.

"Ata janë shumë mirë të stërvitur dhe me motive shumë të larta që nuk është parë ndonjëherë. Por, unë shpreh bindjen se ata do të kapen dhe do të përgjigjen për veprën mizore që bënë, vranë pesë njerëz të pafajshëm, të cilët, besoj se nuk i kanë njohur e as që e kanë ditur se si quhen në momentin që i vranë", ka deklaruar kryeministri Gruevski.

Edhe ekspertët juridikë thonë se vepra është kryer nga vrasës profesionistë, andaj edhe nuk qëndrojnë akuzat për zvarritjen e procedurës së hetimit nga ana Ministrisë së Brendshme.

"Këtu punohet me të madhe nga organet policore dhe organet tjera shtetërore për ndjekje penale, por, siç flasin të dhënat, hetimet dhe të gjitha materialet tjera të grumbulluar, këtu bëhet fjalë një rast, për një tragjedi e cila është zhvilluar në mënyrë shumë profesionale, prandaj edhe është shumë e rëndë të zbulohen dorasit dhe këtu nuk mund të kemi vërejtje serioze për ndonjë zvarritje për shkaqe subjektive. Por, mendoj se zvarritja është për shkaqe objektive", vlerëson eksperti juridik Osman Kadriu.

Ai shton se vrasjes nuk duhet t'i jepen konotacione ndëretnike, pasi pikërisht prishja e raporteve ndëretnike mund të jetë edhe motivi i kryerësve të veprës makabre.
...dikush ka vlerësuar se marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të brishta në Maqedoni dhe se mundet shumë lehtë të destabilizojë shtetin duke shkaktuar konflikt ndëretnik.

Këtë e pohon edhe Mirjana Malevska, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Sipas saj, bëhet fjalë për një situatë të rrezikshme në aspekt të provokimit të raporteve ndëretnike. Malevska vlerëson se për momentin Maqedonia ka shumë nevojë për pjekuri të lartë politike dhe qytetare.

"Mendoj se dikush ka vlerësuar se marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të brishta në Maqedoni dhe se mundet shumë lehtë të destabilizojë shtetin duke shkaktuar konflikt ndëretnik. Mendoj se ky ka qenë qëllimi edhe me vrasjen e pesë personave, pra destabilizimi i vendit", pohon Malevska.

Ndërkohë, edhe drejtuesit e institucioneve, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend kanë bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të provokimeve ndëretnike.
XS
SM
MD
LG