Ndërlidhjet

Kompanitë që financuan PDK-në, përfituan mbi 100 milionë (?)


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dyzet e tri subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore, biznese dhe persona fizikë që kanë financuar Partinë Demokratike të Kosovës, në dy fushatat e fundit elektorale, kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publikë, thonë përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare.

Sipas drejtuesve të organizatës “Çohu”dhe Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese mbi prokurimet publike, janë nxjerrë të dhëna se me mbi 100 milionë euro të shpërndara nga partia e kryeministrit, janë shpërblyer kompanitë, pasi që, siç u tha, ata “ia zgjatën dorën (kryeministrit) gjatë fushatave zgjedhore”.

Për 11 nga këto 43 kompani që kanë fituar tenderë të ndryshëm, kryesisht nga Ministria e Arsimit dhe e Infrastrukturës, thuhet se kanë shkelur ligjin me ç’rast është dëmtuar edhe buxheti i vendit.

Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, shpjegon më shumë:
Ne kemi shikuar mbi 400 tenderë të ndryshëm, ka dalë ky numër dhe kemi ardhur në një përfundim që vlera totale që 43 kompani të ndryshme kanë përfituar, është diku mbi 100 milionë euro...

“Kjo është vetëm një gjetje, të cilën ne e kemi bërë. Ne kemi shikuar mbi 400 tenderë të ndryshëm, ka dalë ky numër dhe kemi ardhur në një përfundim që vlera totale që 43 kompani të ndryshme kanë përfituar, është diku mbi 100 milionë euro. Vërejmë po ashtu që një pjesë dërmuese e tyre p.sh në 11 kompani të ndryshme, është thyer Ligji sipas dokumenteve zyrtare të auditorit, është thyer ligji vetëm që këto kompani të jenë përfituese të këtyre parave publike”.

Në hulumtimin e këtyre organizatave, thuhet se nga raportet e auditivit për financimin e partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 ndërmarrje dhanë për Partinë Demokratike të Kosovës, është pak më shumë se 280 mijë euro.

Drejtuesit e organizatës “Çohu” thanë se pas gjetjes së këtyre të dhënave kanë pritur për më shumë se dy javë për një koment nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Zyra e kryeministrit Hashim Thaçi, por as njëra dhe as tjetra nuk janë prononcuar në lidhje me këtë.

Kurse, Avni Zogiani, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, përmendi disa nga kompanitë, të cilat, sipas tij, janë të afërta me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Për një periudhë rreth tre vjeçare ‘Eko Trade’, gjegjësisht kompania e familjes Zhugolli nga Buroja, fshati i kryeministrit, kanë përfituar një shumë prej mbi 70 milionë eurosh - shumë e cila kryesisht është marrë nga KEK-u nga tenderët e ndryshëm. ‘Devolli’ prapë dihet që janë shumë të afërt me zyrtarë e financues të PDK-së. Vëllai i deputetit Shaip Muja në vazhdimësi ka përfituar nga sektori publik, konkretisht ka përfituar edhe nga RTK-ja. Ekzistojnë edhe të tjera kompani, të cilat janë të afërta me pushtetin, në një mënyrë apo në një tjetër. Ne jemi duke hulumtuar edhe kompani të tjera”, sqaron Zogiani.

Në një hulumtim tjetër të këtyre organizatave, thuhet se së paku 25 zyrtarë të lartë, ndër të cilët një zëvendëskryeministër, dy ministra, katër zëvendësministra, pesë kryetarë të komunave, një sekretar i përgjithshëm, katër drejtorë të prokurimit, si dhe tetë anëtarë/drejtorë të bordeve të kompanive publike, nuk i kanë deklaruar të gjitha bizneset apo aktivitetet në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Gjetjet e publikuara nga Organizata "Çohu" dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese.
Gjetjet e publikuara nga Organizata "Çohu" dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese.
Lorik Bajrami thotë se të gjithë këta zyrtarë kanë shkelur Ligjin për deklarimin e pasurisë, duke shkaktuar kundërvajtje.

“Kjo e bën numrin e zyrtarëve në gjithsej 32 zyrtarë, duke marrë parasysh edhe 7 deputetë, bizneset e të cilëve i kemi publikuar”, shton Bajrami.

Për këtë çështje, thuhet në hulumtim, zyrtarët që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë, nuk janë hetuar fare nga AKK-ja dhe nuk figurojnë në raportin vjetor të vitit 2011, i cili është bërë publik më 28 mars të këtij viti.

Në një hulumtim tjetër të këtyre organizatave thuhet se gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, partitë në pushtet, Partia Demokratike Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, kanë pranuar më së shumti donacione nga persona fizikë dhe juridikë për dallim nga partitë e tjera konkurruese në zgjedhje.

Në raportin e auditorit, të cilin e ka porositur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rreth pasqyrave financiare të partive politike për vitin 2010, i cili është publikuar në qershor të vitit të kaluar, shihet se shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji janë dy subjekte politike - Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, thuhet në hulumtimin e publikuar.

Këto dy subjekte kanë numrin më të madh të donatorëve dhe, si rrjedhojë, edhe shkeljet janë të mëdha. Duke mos respektuar ligjin, donatorët, qoftë si persona fizikë apo juridikë, kanë dhënë shuma më të mëdha parash se sa që lejohet.

Drejtuesit e organizatave presin që organet e drejtësisë, në bazë të publikimeve dhe raporteve të auditimit, të marrin masa për shkelësit e ligjit.

Për më shumë materiale që kanë të bëjnë me dyshimet mbi korrupsion, klikoni në rubrikën tonë "Monitor Corruptus"
XS
SM
MD
LG