Ndërlidhjet

Holland dhe Sarkozi në balotazh


Kandidati socialist, Franso Holland, dhe presidenti konservator, Nikolas Sarkozi
Kandidati socialist, Franso Holland, dhe presidenti konservator, Nikolas Sarkozi

Votat e numëruara nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë tregojnë se kandidati socialist, Franso Holland, dhe presidenti konservator, Nikolas Sarkozi, do të garojnë në balotazhin e 6 majit.

Holland ka fituar 28.63 për qind të votave krahasuar me 27.08 për qind sosh, që kanë shkuar në favor të Sarkozisë. Për të siguruar fitore në raundin e parë, një kandidati i duhen 50 për qind të votave.

Marrë parasysh avantazhin e Hollandit, kjo është hera e parë që një president në detyrë dështon të arrijë fitore në raundin e parë, që nga themelimi i Republikës së Pestë Franceze nën Kushtetutën e 1958-ës.

Po sipas rezultateve zyrtare, kandidatja e ekstremit të djathtë, Marinë Le Pen, ka dalë në vendin e tretë me 18.01 për qind të votave – çfarë paraqet rekord për Partinë e Frontit Kombëtar, të themeluar nga babai i saj, Zhan Mari Le Pen.

Kandidati i krahut të majtë, Zhan Luk Mellenshon, dhe veterani i qendrës, Franso Bajrou, qëndrojnë në vendin e katërt dhe të pestë në mesin e dhjetë kandidatëve të raundit të parë.

Në zgjedhje thuhet të kenë marrë pjesë 80 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Një shifër e tillë ka hedhur poshtë shqetësimet për apatinë e votuesve në sezonin e fushatës, e cila është kritikuar, për shkak të, siç është thënë, dështimit për të adresuar çështjet kyçe, siç është papunësia.

Votimet e së dielës janë parë edhe si provë për presidentin Sarkozi, i cili ka mbrojtur punën e tij në këtë post, pavarësisht indikatorëve të zbehtë ekonomikë.

Humbja në balotazhin e 6 majit do të bënte që Sarkozi të jetë presidenti i parë francez në 30 vjet që dështon të fitojë mandatin e dytë. Një gjë e tillë po ashtu do t’i jepte Hollandit epitetin e presidentit të parë socialist të Francës, që kur Franso Miterand është larguar nga zyra më 1995.

Të dielën, Sarkozi ka hedhur votën në një lagje të pasur të Parisit, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Karla Bruni. Ai ka shtrënguar duart me kalimtarët, por nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike.

Duke iu drejtuar më pas mbështetësve, ai ka folur për, siç është shprehur, “përvojën e tij në mbrojtjen e popullit francez”.

Zgjedhjet presidenciale kanë të bëjnë me zgjedhjen e njërit që do të jetë përgjegjës për vendin tonë dhe që do të mbrojë popullin e Francës në pesë vjetët e ardhshëm. Për pesë vjet, unë e kam ushtruar këtë funksion dhe, më besoni, unë i di detyrat e punës”, ka thënë Sarkozi.

Duke folur para mbështetësve të tij, pas bërjes publike të rezultateve preliminare që e tregonin atë fitues, Holland ka thënë se raundi i dytë do të jetë “ndëshkim” për Sarkozinë dhe politikat e tij.

Fakti i dytë i madh, që do të dalë nga këto zgjedhje, është se raundi i dytë do të paraqesë një ndëshkim për mandatin që po merr fund”, është shprehur Holland.

Në zgjedhjet e së dielës ka votuar edhe ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, i cili pritej të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të Francës, para se shpresat e tij politike të shuheshin për shkak të skandaleve seksuale.

Ai ka hedhur votën në lagjen Sarcelles të Parisit, ku më herët ka shërbyer si kryetar bashkie.

Zgjedhjet e së dielës kanë përfshirë edhe votat e rreth 800,000 qytetarëve francezë, të cilët jetojnë jashtë Francës.

Parisi ka planifikuar për muajin qershor zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare, e cila aktualisht udhëhiqet nga konservatorët e Sarkozisë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG