Ndërlidhjet

Edhe një nismë për zhvillim


Ilustrim
Ilustrim

Pas më shumë se një viti të nënshkrimit të protokollit për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, të hënën është mbajtur takimi i parë i këtij këshilli.

Në këtë takim, përfaqësuesit e bizenesve thonë se kanë paraqitur kërkesat e tyre dhe njëkohësisht kanë kërkuar që të behën reforma në politikat tregtare.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka për qëllim përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës, si dhe zbatimin e masave më efektive në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Pas takimit, në një konferencë për media, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, ka folur për rëndësinë e funksionalizmit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Është e rëndësishme të thuhet se ky këshill ka për qëllim fasilitimin e mëtutjeshëm të dialogut dhe partneritetit publiko privat që në të përfshihen, përveç ministrive relevante, edhe tri asociacione ekonomike, si Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Të gjithë anëtarët e këshillit kanë të drejtë vote dhe kanë për qëllim rekomandimin dhe bashkërendimin e politikave zhvillimore”, theksoi Kusari-Lila.

Themelimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ishte iniciuar në fund të vitit 2010 me vendim të Qeverisë së Kosovës, por që nga atëherë ky këshill nuk ka pasur asnjë aktivitet ekonomik.
Ky këshill përfaqësohet nga të gjitha ministritë relevante të linjës ekonomike dhe nga tri organizatat ekonomike në vend, siç është Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësuesit e organizatave ekonomike në vend, theksuan se funksionalizimi i këshillit do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm biznesor.

Duke pasur parasysh se kohëve të fundit janë ndërmarrë disa reforma që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të bërit biznes dhe këto reforma janë bazuar në thirrjen apo rekomandimet e shoqatave ekonomike, besoj që tani këshilli do t’i marrë parasysh edhe më shumë këto rekomandime dhe atë në formë zyrtare”, tha ushtruesi i detyrës i drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, po ashtu bëjnë të ditur se në mbledhjen e parë të këshillit, kanë paraqitur kërkesën që ka të bëjë me vendimin e qeverisë për zbatimin e ligjit për festat zyrtare për shërbyesit civilë.

Arian Zeka thotë se kanë kërkuar që të mos ketë lidhje të ditëve që nuk janë pushime zyrtare me ditët tjera të pushimeve zyrtare, meqenëse siç thotë ai, kjo po i pamundëson edhe bizneseve edhe qytetarëve që të kenë qasje në shërbime civile në ato ditë.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, tha se funksionalizimi i këtij këshilli do të mundësojë të bëhen reforma dhe hapa të mëtutjeshëm për një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik.

Në si përfaqësues të AKB-së, paraqitëm pikëpamjet tona, se Kosova duhet të marrë rolin e reformatores regjionale duke bërë reforma në politikat tregtare dhe duke u përpjekur që Kosova të bëhet shtet i artë për investime”, u shpreh Shahini.

Ndërkaq, edhe pas përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, nuk arritëm t’i kontaktojmë.

Ndryshe, konferenca për media e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është përmbyllur vetëm me deklaratën e zëvendëskryeministres Mimoza Kusari Lila, pasi që gazetarët nuk kanë bërë pyetje, duke kundërshtuar kështu Kodin e ri Penal të Republikës së Kosovës, me anë të të cilit gazetarët bëhen përgjegjës për vepra penale dhe obligohen të zbulojnë burimet e tyre.
XS
SM
MD
LG