Ndërlidhjet

logo-print

Rasmusen: EULEX-i s'ka burime të mjaftueshme


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Nders Fog Rasmusen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Nders Fog Rasmusen

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë nuk ka “burime të mjaftueshme” ka thënë shefi i NATO-s, duke thënë se aleancës ushtarake i është dashur të marrë barrën.

“Të jem i sinqertë, jam shumë i shqetësuar, për faktin se misioni i BE-së, EULEX-i, nuk ka burime të mjaftueshme, që në praktikë, ka implikime të fuqishme për NATO-n, sepse pastaj po ndikohen operacionet tona të KFOR-it”, transmeton DPA, deklaratën e Anders Fog Rasmusen dhënë para ligjvënësve të BE-së.

Derisa KFOR-i është vendosur në Kosovë pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit, më 1999, misioni i BE-së, është dërguar pas pavarësisë së Kosovës, për të ndihmuar ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe sundimin e ligjit.

“Ne duhet të ndërmarrim detyrat dhe përgjegjësitë që nuk janë paraparë, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Rasmusen gjatë një debati në Komitetin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme në Bruksel.

“Shpresoj se ju mund të përdorni ndikimin tuaj në mënyrë që EULEX-i të ketë burime të mjaftueshme”, ka thënë Rasmusen.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Ketrin Eshton tha se blloku “është gjithmonë në pozicionin e kërkimit të burimeve më të mëdha për të ndihmuar misionin në veri të Kosovës," kur është pyetur në lidhje me deklaratat e Rasmusenit në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

“Ne punojmë shumë ngushtë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe ekipin e tij në planifikimin dhe mundohemi që të mbështesim njerëzit në veri”, ka thënë ajo.

Eshton po ashtu vërejti se kjo çështje është ngritur edhe gjatë diskutimeve me sekretaren amerikane të shtetit Hillari Klinton gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Tensionet në këtë rajon kanë qenë të larta që kur Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Serbët në veri i rezistojnë autoritetit të Qeverisë së Prishtinë.

Rajoni është goditur nga një valë sulmesh të dhunshëm në javët e fundit, dhe më i rëndi ishte sulmi me bombë që vrau një shqiptar që jeton në pjesën veriore të Mitrovicës.

EULEX-i tha të premten se do të shtojë praninë në veri për shkak të tensioneve të rritura.

Ndërkohë, revista gjermane Spiegel raportoi këtë fundjavë se KFOR-i do t’i bashkohen edhe 550 ushtarë të tjerë para zgjedhjeve serbe të 6 majit.
XS
SM
MD
LG