Ndërlidhjet

logo-print

AI: Diskriminim i myslimanëve në Evropë

  • RFE /RL

Kenza Drider, një grua e re e mbuluar, është bërë simbol në Francë me shkrimin e saj për mbulesën...

Kenza Drider, një grua e re e mbuluar, është bërë simbol në Francë me shkrimin e saj për mbulesën...

Një raport i Amnesty International thotë se myslimanëve në vendet evropiane në vazhdimësi iu mohohen mundësitë e punësimit dhe të arsimimit, për shkak të diskriminimit të gjerë kulturor dhe fetar kundër tyre.

Raporti i quajtur “Zgjidhja dhe Paragjykimi: Diskriminimi kundër myslimanëve në Evropë”, shqyrton jetën e myslimanëve në Zvicër, Francë, Belgjikë, Spanjë dhe Holandë.

Në të thuhet se individët, të cilët mbajnë veshje specifike, si shamitë në kokë, apo simbole të tjera të lidhura me islamin, kanë më pak sukses në gjetjen e punës dhe në mundësitë e shkollimit për shkak të qasjes paragjykuese dhe mosndëshkimit ligjor në këto shtete evropiane.

Raporti dokumenton disa raste të diskriminimit dhe ngre çështjen e mjedisit ligjor, i cili lejon që praktikat e tilla të mos kontrollohen. Në raport janë vënë në pah problemet e mungesës së ligjeve, si në Zvicër, si dhe ligjet, që sipas Amnesty International, ndihmojnë institucionalizimin e stereotipeve, si ndalesat për veshjet e caktuara islamike.

Direktiva e Kornizës së Punësimit e Bashkimit Evropian, që aplikohet në shtetet anëtare, sipas organizatës, gjen trajtime të ndryshme të religjionit dhe besimit që çojnë në diskriminim.

Legjislacioni vendor në Belgjikë, Francë, Holandë dhe Spanjë pasqyron këtë qëndrim.

Marko Perolini, autori i raportit, thotë se grupi ka vërejtur mungesën e zbatimit të këtyre ligjeve, dhe në disa vende edhe mungesën e ligjeve në fjalë.

“Ajo që kemi zbuluar në disa vende, si në Francë, Holandë dhe Belgjikë, është se legjislacioni ekzistues nuk zbatohet në mënyrë të duhur dhe kjo është shqetësuese".

"Në anën tjetër, në shtetet tjera, në veçanti në Zvicër, që nuk është vend anëtar i BE-së, nuk ka legjislacion gjithëpërfshirës kundër diskriminimit. Në Zvicër, nuk ka legjislacion specifik, që ndalon diskriminimin në bazë të fesë dhe besimit në fushën e punësimit”,
thotë Perolini.

Amnesty International

Amnesty International

Amnesty thotë se punëdhënësit lejohen që të diskriminojnë në bazë të simboleve religjioze dhe kulturore dhe kjo mund të bezdisë klientët ose të shkaktojë kundërthënie me imazhin e korporatës së tyre.

Raporti sjell profilin e Amelies, nga Parisi, një punonjëse sociale, që mban shami dhe ka pasur vështirësi në gjetjen e punës.

Në një intervistë për t’u punësuar si këshilltare për viktimat e dhunës në familje, punëdhënësi i ka thënë asaj se nuk mund të bartë shaminë, sepse “si do të mund të bindësh një viktimë, femër myslimane për dhunën në familje, po qe se ajo dëshiron të heqë shaminë, me qëllim që të gjejë punësim dhe të jetë e pavarur financiarisht?”

Ky qëndrim, është riforcuar nga debatet në disa shtetet evropiane, Austri, Belgjikë, Bosnje, Danimarkë, Francë, Itali, Holandë, Spanjë, Zvicër dhe në Britani të Madhe, në lidhje me ndalimin ose jo të mbulimit të plotë të fytyrës në publik. Franca dhe Belgjika tashmë kanë ndaluar këtë gjë.

Perolini tha se ligjet e tilla “shkelin të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e lirisë së fesë ose besimit për myslimanët në Evropë.”

“Ajo që ne vëmë në pikëpyetje janë ndalesat e përgjithshme në raport me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Perolini.

Raporti, po ashtu, u hedh një vështrim shkollave publike evropiane dhe nxjerr përfundimin se edhe atje, ligjet kundër veshjeve islamike dëmtojnë myslimanët.

Vajzave, të cilave iu mohohet e drejta e mbajtjes së shamisë, më parë do të lënë shkollën sesa t’i përmbahen ndalesës, vlerëson raporti.

Grupi i të drejtave të njeriut iu bën thirrje qeverive që t’i zbatojnë ligjet ekzistuese të Bashkimit Evropian dhe të gjejnë rrugët për të kundërshtuar stereotipet negative myslimane, si dhe opinionin dominues, që, siç e përshkruan Perolini, në shumë vende evropiane “islami është në rregull dhe myslimanët janë në rregull për aq kohë sa nuk janë shumë të dukshëm". (a.i.)
XS
SM
MD
LG