Ndërlidhjet

OBSH: Bie numri i vdekjeve nga fruthi

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga fruthi në mbarë botën ka rënë dukshëm në dekadën e fundit, bazuar në një studim të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera.

Vdekjet nga kjo sëmundje vazhdojnë të ndodhin në Indi dhe në Afrikë, në mungesë të imunizimit të fëmijëve.

Zyrtarët shëndetësore vlerësojnë se rreth 9.6 milionë fëmijë kanë shpëtuar nga vdekja prej fruthit nga viti 2000 deri në vitin 2010, në saje të fushatave të fuqishme vaksinimi që nisën më shumë se një dekadë më parë.

Hulumtuesit pohojnë se numri i vdekjeve ka rënë gjatë kësaj periudhe nga 535,300 në 139,300 ose rreth 74 për qind.

Por, studimi i fundit është pritur me skepticizëm; shkencëtarët kishin të dhëna të qëndrueshme vetëm për 65 vende. Për 128 vendet tjera, ata kanë shfrytëzuar mostra të caktuara për të arritur deri te të dhënat.


Të dhënat e fundit gjithashtu janë në shpërputhje me objektivin e caktuar nga OBSH për të zvogëluar vdekjet nga fruthi në 90 për qind, deri në vitin 2010.

“Ky megjithatë është një sukses i madh. Nuk zvogëlohen dot vdekjet e fruthit për tri të katërtat pa pasur përpjekje intensive”, ka thënë Peter Strebel, ekspert për fruthin në OBSH.

Studimi është paguar nga Qendra Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe është publikuar të martën në revistën “Lancet”.

Fruthi është një nga sëmundjet më të njohura infektuese dhe kryesisht sulmon fëmijët. Sëmundja vret një ose dy fëmijë në 1,000 që infekton dhe mund të shkaktojë lindje të hershme te shtatzënat ose edhe dështim të shtatzënisë.

Në vitet e fundit, sëmundja ka “rilindur” në Evropë – numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007 është trefishuar. Mjekët thonë se rastet e fruthit po rikthehen në Evropë, meqë njerëzit nuk e marrin më seriozitet këtë sëmundje dhe janë skeptikë për vaksinën.

Vaksina e parë është licencuar në Shtetet e Bashkuara më 1963 dhe sot është botërisht e përfshirë në programin rutinë të imunizimit të fëmijëve në vendet e zhvilluara.

Strebel nga OBSH ka thënë se mbajtja e ritmit të rënies në rastet e fruthit kërkon përpjekje të jashtëzakonshme. Ai tha se ekspertët nuk janë ende të gatshëm që të përcaktojnë afate për zhdukjen e kësaj sëmundjeje.

“Të presim derisa t’i afrohemi edhe pak majes së malit, para se të themi se mund të arrijmë aty”, ka thënë ai. (a.v.)

* huazuar nga Associated Press
XS
SM
MD
LG