Ndërlidhjet

Me djegie të artit kundër shkurtimeve buxhetore



Autorë: Okropir Rukhadze, Claire Bigg


Antonio Manfredi ka kohë që njihet si një ndër drejtorët më radikalë të muzeve italiane.

Por, akti i tij i fundit është vërtet ekstrem: ai ka djegur piktura për të protestuar ndaj shkurtimeve buxhetore, të cilat, siç thotë ai, po e shkatërrojnë kulturën e Italisë.

“Në Itali, në një muaj, pesë ose gjashtë muze janë mbyllur. Nuk e duam këtë. Ky është revolucion, në përpjekje për të ndryshuar mentalitetin politik në Itali”, thotë Manfredi.

Ai drejton Muzeun e Artit Bashkëkohor në afërsi të Napolit. Muzeu, i cili posedon vepra të artistëve nga e gjithë bota, është shndërruar në institucion të sponsorizuar privatisht, pasi fondet komunale janë shterur. Manfredi thotë se mund të detyrohet ta mbyllë, nëse nuk merr ndihmë financiare nga autoritetet italiane apo evropiane.

Djegia nisi më 17 prill, me pikturën e artistit francez, Severin Burginjo, i cili shikonte shkatërrimin e veprës së tij përmes Skype-it. Pikturat janë sakrifikuar me pëlqimin e autorëve të tyre.

Artistja gjermane, Astrid Shtojfhas, është një tjetër piktore, puna e së cilës është bërë tym. Ajo pranon se fillimisht ka qenë e befasuar me propozimin e Manfredit për t’i djegur pikturën.

“Në fillim ishte si një goditje për mua. Mendoj se është vërtet e rëndë djegia e artit. Është, po ashtu, një çështje tabu, shumë serioze. Por, nëse mund të ndihmojë, nëse është për një arsye të mirë... mblodha mendjen dhe lejova”, tregon Shtojfhas.

Manfredi thotë se do të djegë nga tri piktura çdo javë, derisa ministri italian i Kulturës të vizitojë personalisht muzeun e tij. Ai pranon se shkatërrimi është tronditës, por thotë se është i nevojshëm.

“Çdo vepër arti është si një pjesë e jetës sime. Andaj, është e tmerrshme të shkatërrohen këto vepra. Një gjë e tillë më jep një ndjenjë shumë të keqe”, shprehet Manfredi.

Ai ka hapur Muzeun e Artit Bashkëkohor në vendlindjen e tij Kazoria, më 2005. Muzeu ka hyrë shumë shpejt në vështirësi financiare, pas hapjes së një ekspozite, e cila ka tërhequr zemërimin e mafisë më të fuqishme lokale - Kamora.

Manfredi thotë se ndërtesa ka pësuar edhe nga përmbytjet, ashtu si dhe nga disa përpjekje për grabitje, për të cilat fajëson mafinë.

Ky nuk është reagimi i parë publik i Manfredit. Vitin e kaluar, ai i ka shkruar kancelares gjermane, Angela Merkel, për t’i kërkuar azil për muzeun e tij, duke thënë se Qeveria e Italisë ka dështuar të mbrojë trashëgiminë kulturore të vendit. Ai kurrë nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Dhe tani, thotë se është i gatshëm të sakrifikojë tërë koleksionin e muzeut, që përmban rreth 1,000 vepra arti.

Derisa autoritetet italiane nuk kanë reaguar ende, masat dëshpëruese të Manfredit kanë nxitur imagjinatën e artistëve edhe në vende të tjera. Disa artistë britanikë dhe gjermanë u kanë vënë flakën krijimeve të tyre, në shenjë solidariteti.

Vetëshkatërrimi i Muzeut Bashkëkohor të Artit vjen në mesin e shkurtimeve dramatike financiare për institucionet kulturore të Italisë. Shkurtimet kanë nisur nën ish-kryeministrin Silvio Berluskoni dhe janë intensifikuar kur qeveria aktuale ka miratuar një sërë masash shtrënguese.

Gjendja e tmerrshme e objekteve dhe institucioneve kulturore të Italisë ka rritur vëmendjen ndërkombëtare kur Shtëpia e Gladiatorit në rrënojat e Pompeit të lashtë - 2,000 vjet e vjetër - është shembur në vitin 2010.

Kryeministri Mario Monti ka shpallur projektin prej 105 milionë eurosh për rikonstruktimin e njërit prej vendeve më të çmuara arkeologjike në botë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG