Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ligji për mediat e huaja, pezull


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Propozim-ligji për punën e mediave të huaja në Maqedoni, ka ngelur në procedurë parlamentare edhe më shumë se dy muaj nga leximi i parë në Kuvend, e që shkaktoi reagime të shumta për shkak të dispozitave të kufizojnë lirinë e mediave të huaja të akredituara.

Pas kundërshtimeve të fuqishme, fillimisht partitë opozitare, e më pas edhe vetë BDI-ja, që është pjesë e Qeverisë, doli me propozim-amendamente që heqin kufizimet e parashikuara në këtë projektligj, por që nga ajo ditë, komisionet parlamentare nuk kanë mbajtur asnjë seancë për këtë çështje.

Nga BDI-ja nuk arritëm të kontaktonim për të komentuar zvarritjen, ndërsa deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Izet Zeqiri, dyshon se bëhet fjalë për mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit, pasi amendamentet që ishin propozuar nga BDI-ja, nuk do të kalojnë nëse nuk mbështeten dhe nga partneri i saj, VMRO-DPMNE.

“Këtu vërehet qartë se ka përplasje mes partnerëve të koalicionit, pasi BDI-ja premtoi se me amendamente do të intervenohet për ndryshimin e dispozitave të këtij propozim-ligji, por ende nuk kemi mbledhje komisioni, në të cilën këto do të shqyrtoheshin”, thotë deputeti Zeqiri

Rilindja Demokratike Kombëtare ishte ndër të parat që kundërshtoi projektligjin, duke paralajmëruar dhe amendamente për nenet e diskutueshme që tani parashohin vazhdimin e lejeve të punës për çdo vit, si dhe nenin tjetër që ndalon mediat e huaja marrjen e opinioneve nga korrespodenturat e huaja.

“Është e qartë se Qeveria tenton të mjegullojë opinionin publik të brendshëm dhe të jashtëm. Duke vendosur barriera ligjore të lejeve, të pengesave për marrjen e opinioneve të ndryshme, Qeveria tenton që këto media të huaja nën presionin e lejeve apo licencave, në mënyrë permanente të informojnë vetëm për ato çfarë bën Qeveria dhe Kuvendi”, deklaron Zeqiri.

Ndërkohë, ekspertët për çështje mediatike thonë se nuk janë në dijeni të arsyeve për zvarritjen e këtij projektligji, por ata tërheqin vërejtjen se forma e propozuar është e papranueshme, meqë kufizon punën e mediave të huaja, të cilat, në raportimet e tyre nuk mund të përfshijnë edhe opinionet e qytetarëve, gjë që është e palogjikshme apo do t’u humbte kuptimi raportimeve që bëhen nga mediat e huaja.

“Nuk ka informacione të sakta se pse ka vonesa. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me procedurat parlamentare, por esenca e gjithë çështjes është që ligji duhet të formulohet dhe të miratohet në atë formë që të garantojë shprehjen e lirë të gazetarëve në këtë rast, pasi ishte e pakuptueshme që gazetarët të mund të kufizohen, apo t'ju kufizohet mënyra e veprimit, puna në raportimet e tyre”, thotë Nazim Rashidi, ligjërues i Gazetarisë në Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Ndaj projektligjit të Qeverisë kishin reaguar edhe shumë organizata ndërkombëtare. Reporterët pa Kufij i bënë thirrje Kuvendit të Maqedonisë të mos e miratojë ligjin e propozuar apo të miratohet një variant tjetër që nuk cenon lirinë e informimit të mediave të huaja.

Leximi i parë i këtij projektligji në Kuvend, ka kaluar më 17 shkurt dhe me të synohet të zëvendësohet ligji aktual, i cili është në fuqi që nga viti 1974, por që nga analistët është vlerësuar si më liberal se propozimi që tani ndodhet në procedurë parlamentare.
XS
SM
MD
LG