Ndërlidhjet

U premtuan 300 milionë euro për refugjatët


Pamje nga konferenca e sotme e donatorëve në Sarajevë

Pamje nga konferenca e sotme e donatorëve në Sarajevë

Një një konferencë globale të donatorëve në Sarajevë, sot u premtuan 300 milionë euro për afro 74 mijë refugjatë, në disa nga vendet që dolën nga ish Jugosllavia, duke mundësuar që ndërtimi i vendbaniemeve të filloj në vjeshtë.

“Gjatë konferencës së donatorëve ne morëm konfirmimin për më tepër se 300 milionë euro dhe ne jemi të kënaqur me këtë”, u tha gazetarëve ministri i refugjatëve i Bosnjë Hercegovinës, Damir Lubiq.

Ky program i ndërtimit të vendbanimeve, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, OSBE-ja dhe UNHCR-ja.

Donatori më i madh do të jetë BE-ja, që ka premtuar më se 230 milionë euro për projektin pesëvjeçar.

Qeveritë e katër shteteve ballkanike, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, së bashku do të kontribuojnë me 83 milionë euro.

Shefi i UNHCR-së, Antonio Guterres, tha se “kjo ditë është për tu festuar, pasi jemi përkushtuar për ta shkruar kaptinën e fundit të tragjedisë së zhvendosjes në Ballkanin Perëndimor, gjatë viteve të 90-ta”.

Agjencia AFP raporton se në luftërat në Kroaci, Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë, janë vrarë më se 130 mijë vetë, ndërsa më se tre milionë njerëz ishin detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Afro 200 mijë njerëz në rajon ende janë refugjatë.
XS
SM
MD
LG