Ndërlidhjet

logo-print

Shqiptarët - të padukshëm në zgjedhjet e Serbisë


Preshevë - foto nga arkivi

Preshevë - foto nga arkivi

Një zonë shumë delikate për Beogradin zyrtar thuhet të jetë jugu i Serbisë, i banuar me shumicë shqiptare. Në prag të zgjedhjeve në shtetin serb, thuajse askush nga autoritetet nuk llogarit në votuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Edhe pse potenciali i tyre zgjedhor në nivelin republikan është i vogël, pesha e tyre politike është e madhe. Por, një gjë e tillë si duket është e kuptueshme vetëm kur shpërthejnë konfliktet ndëretnike.

Javën e kaluar, atje kanë qëndruar diplomatë të lartë të huaj nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja me thirrjet për të dalë në votime.

Në mesin e shqiptarëve të Luginës ekzistojnë dy blloqe politike – njëri i cili bën thirrje për dalje në zgjedhje dhe tjetri që kërkon bojkotim, pos të atyre lokale.

Riza Halimi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, i takon bllokut të katër partive që do të dalë në zgjedhje dhe që së fundmi u ka bërë thirrje mbështetësve të votojnë për kandidatin presidencial, Mufti Zukorlliq. Ai e ilustron me një shembull trajtimin e shqiptarëve në shtetin serb.

Kujtoj situatën kur presidenti i shtetit ka vizituar në kodrat mbi Preshevë e Bujanoc pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë dhe nuk ka ndaluar as pesë minuta të flasë me përfaqësuesit e pushtetit lokal të dy komunave. Kjo vetëm flet për marrëdhëniet e qeverive të deritashme me këtë zonë dhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thotë Halimi.

Sipas tij, për banorët shqiptarë nuk ka rëndësi nëse do të fitojë Partia Demokratike e Serbisë apo nacionalistët opozitarë të Partisë Progresive Serbe.

Për mua, ata janë pothuajse në pozicione të njëjta politike. Do të shohim, nëse cilido opsion ofron projekte serioze për zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në këtë zonë, natyrisht se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Kjo është edhe arsyeja përse marrim pjesë në zgjedhje. Mbetet të shihet pas zgjedhjeve nëse do të ketë gatishmëri të tillë. Marrëdhëniet e tyre me shqiptarët janë ende të dobëta. Deri më tash, unë si deputet kurrë nuk kam pasur oferta nga shumica parlamentare për t’iu bashkuar”, thotë Halimi.

Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës dhe i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, për të cilën thuhet se më shumë është e kthyer nga Prishtina sesa nga Beogradi, u ka bërë thirrje mbështetësve që të përmbahen nga votimi për Parlamentin republikan dhe presidentin e Serbisë.

Ai thotë se partitë shqiptare kurrë nuk kanë pasur oferta për koalicione.

Kurrë nuk ka pasur oferta të tilla – që nga fillimi i sistemit shumëpartiak e deri më sot”, thotë Mustafa, për të shpjeguar arsyet e tjera të thirrjes për bojkot:

Në 12 vjetët e fundit nuk është zgjidhur asgjë sa i përket çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Arsyeja më e madhe është se Serbia ka shpallur zgjedhjet edhe në territorin e Kosovës”.

Kryeredaktori i gazetës “Vranjske”, Vukashin Obradoviq, thotë se shqiptarët e jugut të Serbisë janë lënë vetëm dhe se për ta më shumë kujdeset komuniteti ndërkombëtar sesa Beogradi.

Beogradi nuk mundohet që t’i fusë shqiptarët në sistemin politik të Serbisë. Madje, nxitja e tyre për të treguar përkushtim ndaj Kosovës, është pikë për Serbinë dhe në këtë mënyrë edhe udhëhiqet politika serbe”, thotë Obradoviq.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Beograd, Meri Uorllik, shefi i misionit të OSBE-së atje, Dimitrios Kipreos, si dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vensan Dezher, kanë qëndruar javën e kaluar në Bujanoc, nga ku u kanë bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, më 6 maj.

Po përse liga e parë diplomatike ka vendosur që këtë apel ta bëjë pikërisht nga Lugina?

Obradoviq thotë se thirrja e tillë dëshmon për vazhdimësinë e politikës ndërkombëtare ndaj jugut të Serbisë, që e konsideron pjesë përbërëse të Serbisë.

Sipas tij, në këtë mënyrë i dërgohet mesazh i qartë edhe Beogradit, edhe Prishtinës se nuk ka ndarje të Kosovës, se nuk ka asgjë sa u përket spekulimeve për shkëmbimin e veriut të Kosovës me jugun e Serbisë.(v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG