Ndërlidhjet

Sarkozi s’do bënte marrëveshje me Frontin Kombëtar


Nikolas Sarkozi

Nikolas Sarkozi

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka thënë se nuk do të kërkojë marrëveshje politike me ekstremin e djathtë, nëse fiton mandatin e dytë presidencial.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Sarkozi ka fituar 27.2 për qind të votave, çfarë e bën të shkojë në balotazh me socialistin Franso Holland, i cili ka siguruar 28.6 për qind të votave.

Marinë Le Pen, kandidatja e Frontit Kombëtar, nuk do të vazhdojë garën, ndonëse ka fituar numër befasues të votave - 18 për qind sosh.

Para balotazhit të 6 majit, edhe Sarkozi, edhe Holland po bëjnë përpjekje të sigurojnë mbështetjen e atyre që kanë votuar për Le Penin.

Sarkozi, duke folur për radio-stacionin francez, "France Info", ka thënë se, nëse ai rizgjidhet president, “nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Frontin Kombëtar dhe as ministra të këtij Fronti në kabinetin e tij”.

Por, ai po ashtu ka thënë se "do t’i dëgjojë ata që të dielën kanë votuar për Frontin Kombëtar anti-imigrant dhe anti-BE".

“Nuk do të ketë marrëveshje me Frontin Kombëtar. Nuk do të ketë ministra nga Fronti Kombëtar. Por, refuzoj të demonizoj burrat dhe gratë, të cilët duke hedhur votën për Marinë Le Penin, kanë hedhur një votë zemërimi, një votë vuajtjeje, një votë dëshpërimi. Unë do t’i marr ata parasysh, do t’i dëgjoj”, ka thënë Sarkozi.

Holland ka thënë se ata që kanë votuar për partinë e Le Penit, kanë shprehur “mllefin shoqëror” dhe "kanë dashur të ndëshkojnë Sarkozinë për politikat e tij".

Edhe Holland ka thënë se do t’i dëgjojë shqetësimet e tyre, si dhe do t’i mbrojë ata nga “globalizimi financiar dhe Evropa e dështuar”.

Sondazhet e fundit të opinionit thonë se Holland mund të fitojë balotazhin me më shumë se 55 për qind të votave.
XS
SM
MD
LG