Ndërlidhjet

Sulm në Mitrovicë - një i vrarë


Ilustrim
Ilustrim
Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur pas një sulmi me armë zjarri që ka ndodhur pak pas mesditës në qendër të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili ka bërë të ditur se grupi i sulmuesve, i përbërë nga të paktën katër persona, ka përdorur tri lloje të ndryshme të armëve për të ekzekutuar sulmin.

Incidenti, sipas tij, ka ndodhur pasi sulmuesit me veturën e tyre kanë bllokuar veturën në të cilën gjendeshin viktimat.

Hoti ka thënë se po punohet në drejtim të identifikimit të sulmuesve të dyshuar, porse, deri më tani, nuk është arrestuar askush.

“Deri në këtë moment nuk është arrestuar askush, ndërsa motivet besohet të jenë të karakterit kriminal. Besohet se të dyja palët kanë pasur një përleshje të mëhershme dhe kjo besohet të jetë rezultat i asaj zënke të mëhershme”, ka thënë ai.

Mësohet se të dyja palët e përfshira në incident janë të përkatësisë etnike shqiptare.

Hetimet për këtë rast thuhet se po udhëhiqen nga Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë.
XS
SM
MD
LG