Ndërlidhjet

Shkup: Deklaratë sensibilizuese


Ilustrim
Ilustrim
Partia maqedonase në opozitë, LSDM, u deklarua pozitivisht ndaj iniciativës sensibilizuese të partive të koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE dhe BDI, për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për çështjen e integrimit në kontekst të samitit të NATO-s, në Çikago.

”Për LSDM-në, prioritet janë integrimet euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë - prej këtu çdo hap, çdo iniciativë që do të ndihmojë në realizimin e këtyre qëllimeve strategjike, për ne është plotësisht e pranueshme. Derisa shumica parlamentare vlerëson se me këtë deklaratë, Qeverisë do t’i lehtësohet puna për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, në samitin e majit në Çikago, ne pa rezerva do ta mbështesim”, tha deputeti i LSDM-së, Andre Petrov.

Ndërsa, partia shqiptare në opozitë tha se tek ata ende nuk ka mbërritur deklarata dhe nuk kanë njohuri për brendinë e saj, andaj dhe nuk kanë qëndrim të prerë nëse do ta votojnë ose jo.

Deputeti i PDSH-së, Ziadin Sela, tha se vetë fakti dhe forma e deklaratës dëshmon se koalicioni qeveritar BDI dhe VMRO-DPMNE, nuk kanë kapacitet për ta zgjidhur çështjen e emrit, që nga faktori ndërkombëtar është definuar si rrugë e vetme që do t`i mundësonte vendit zhbllokimin e procesit të integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Mënyra dhe qasja ndaj problemit nga ana e partive politike në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, është vetëm sa për t’u krijuar një mjegullnajë në opinion dhe asgjë më shumë, sepse Maqedonia, që nga samiti i Bukureshtit në vitin 2008, e ka të hapur ofertën që të zgjidhë çështjen e emrit dhe menjëherë pas kësaj, mund të anëtarësohet në NATO”.

”Koalicioni i Qeverisë aktuale nuk ka dëshirë, e as vullnet që ta bëjë këtë kompromis dhe tani mundohet të merret me gjëra koti dhe asgjë tjetër”,
u shpreh Sela.

Deputet i PDSH-së, Sela, shtoi se pushteti ik nga realiteti, e realiteti është se Maqedonia në samitin e Çikagos nuk do të marrë ftesë për t`u anëtarësuar në NATO.

Ndryshe, partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, të martën i kanë ofruar opozitës një deklaratë për çështjen e integrimit në kontekst të samitit të Çikagos.

Propozim-deklarata siç thuhet, ka për qëllim riafirmimin e qëllimit strategjik për anëtarësimin e vendit në NATO, në të cilën thuhet se integrimi i vendit në Aleancë është përcaktimi kryesor politik i institucioneve dhe të gjitha forcave politike për kontributin e dhënë në kuadër të këtij procesi.

Me këtë deklaratë synohet t`i bëhet thirrje Aleancës Veri-atlantike që të respektohen parimet e dyerve të hapura të NATO-s, dhe se bëhet e qartë që Maqedonia ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për anëtarësim.

Me anë të kësaj deklarate i bëhet thirrje OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që të respektohet vendimi i GJND-së për të hapur rrugën e anëtarësimit në NATO.

Po ashtu, aty kërkohet mbështetje nga vendet anëtare që Maqedonia në Samitin e Çikagos në muajin maj të përfitojë ftesën për anëtarësim në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në.
XS
SM
MD
LG