Ndërlidhjet

Banka Botërore: Rriten çmimet e ushqimeve


Ilustrim
Ilustrim
Banka Botërore ka bërë të ditur se çmimet e ushqimit janë përsëri në rritje, për shkak të çmimeve të larta të naftës, kërkesave të mëdha të Azisë për importe të ushqimit, si dhe kushteve të këqija atmosferike në disa pjesë të Evropës, Amerikës së Jugut dhe të Shteteve të Bashkuara.

Indeksi i fundit i çmimeve të ushqimit, i bërë publik nga institucioni financiar, tregon rritje të kostos për 8 për qind ndërmjet dhjetorit dhe marsit.

Megjithatë, edhe me rritjen e fundit, këto çmime mbesin 1 për qind më të ulëta se një vit më parë dhe 6 për qind më të ulëta se kulmi historik i shkurtit 2011, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

“Pas katër muajve të rënies së vazhdueshme të çmimeve të ushqimit, ato janë përsëri në rritje dhe kërcënojnë sigurimin e ushqimit për miliona njerëz”, ka thënë nënpresidenti i Bankës Botërore për reduktimin e varfërisë dhe menaxhimin ekonomik, Otaviano Kanuto.

Sipas raportit, çmimet e drithërave, yndyrave dhe vajrave, ashtu si edhe të ushqimeve të tjera, janë rritur çdo muaj nga janari i këtij viti.

Rënie mësohet të ketë shënuar vetëm çmimi ndërkombëtar i orizit, për shkak të furnizimeve të bollshme me grurë dhe konkurrencës së fortë në mesin e eksportuesve.

“Nëse prodhimet e parashikuara për 2012/2013 nuk materializohen, çmimet globale të ushqimeve mund të rriten edhe në nivele më të larta”, paralajmëron Banka Botërore.

Ekonomitë në zhvillim janë goditur nga kriza e çmimeve të ushqimit dhe energjisë në vitet 2008-2009, çfarë ka shkaktuar trazira sociale dhe ndalesa të eksporteve ushqimore në disa vende.

Sipas Bankës Botërore, rritja e mëtejshme e çmimeve në vitin 2010 dhe në fillim të 2011-ës ka çuar në rritje të prodhimit të kulturave kryesore.

Çmimet vendore të ushqimit mbeten të larta posaçërisht në Afrikë, për shkak të importeve të mëdha të ushqimit në njërën anë dhe kufizimeve tregtare, trazirave civile dhe motit të keq në anën tjetër.

Banka Botërore thotë se është vështirë të parashikohet nëse rritja e çmimeve këtë vit mund të çojë në një krizë të re globale të ushqimit, për shkak se “nuk ka asnjë mekanizëm për të identifikuar fillimin e një krize të tillë”.

Banka thotë se është duke punuar në zhvillimin e një sistemi për të përcaktuar, identifikuar dhe monitoruar rritjet e çmimeve të ushqimit në nivelet globale dhe kombëtare. (v.t.)
XS
SM
MD
LG