Ndërlidhjet

Mijëra njerëz këndojnë kundër Breivikut


Oslo, 26 prill 2012.
Oslo, 26 prill 2012.
Dhjetëra-mijëra njerëz janë tubuar të enjten në Oslo për të protestuar kundër ekstremistit të djathtë, Anders Bering Breivik, duke kënduar një këngë për paqen dhe unitetin, të cilën ai e urren.

Mijëra të tjerë i janë bashkuar idesë edhe në qytete të tjera të Norvegjisë, duke kënduar “Children of the Rainbow”.

Breiviku, i cili po gjykohet për vrasjen e 77 personave në korrik të vitit të kaluar, e ka quajtur këngën “shpëlarje marksiste të trurit”.

“Children of the Rainbow” është një interpretim norvegjez i këngës së këngëtarit amerikan, Pit Sixher “Rainbow Race”, e cila daton nga viti 1971.

Breivik ka pranuar se ka vrarë 8 persona me shpërthimin e bombës pranë ndërtesave qeveritare në kryeqytetin norvegjez dhe 69 të tjerë, kryesisht të rinj, në kampin e Partisë Laburiste në ishullin Utoja.

Por, ai nuk ka pranuar fajësinë, duke thënë se sulmet “ishin të nevojshme për të ndaluar politikat e Partisë Laburiste për multikulturalizëm” si dhe “pushtimin mysliman të Norvegjisë dhe Evropës”.

Breivik, duke dëshmuar në gjykimin e tij, ka thënë se kënga “Children of the Rainbow” është përdorur nga autoritetet për t’iu “shpëlarë trurin” fëmijëve norvegjezë, “me qëllim që të pranojnë shoqërinë multikulturaliste”.

Ai ka akuzuar këngëtarin norvegjez, Lillebjorn Nillsen, i cili ka kënduar versionin tjetër të këngës, se është “marksist i vetëdeklaruar”.

“Children of the Rainbow” është njëra nga këngët që është kënduar korrikun e kaluar në Oslo, kur mbi 100,000 njerëz ishin tubuar për të nderuar viktimat e sulmeve.

Breiviku nuk ka treguar pendim, duke thënë se sulmet e tilla do t’i bënte sërish.

Në seancën e së mërkurës, ai ka hedhur poshtë raportin psikiatrik, i cili e deklaron atë të çmendur.
XS
SM
MD
LG