Ndërlidhjet

S’lejohen mallrat UNMIK/Kosovë


Mall i importuar në Kosovë me mbishkrimin UNMIK/Kosovë
Mall i importuar në Kosovë me mbishkrimin UNMIK/Kosovë
Autoritetet kosovare kanë marrë vendim që nga data një maj të mos lejohet hyrja e produkteve me mbishkrimin UNMIK/Kosovë. Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ata thonë se u janë drejtuar kompanive importuese me një sugjerim që mallrat me këtë mbishkrim që kanë hyrë në tregun e Kosovës, të përmirësohen, pasi që importi i produkteve me mbishkrimin UNMIK/Kosovë, është në kundërshtim me mekanizmat ligjorë në vend.

Kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ruzhdi Shehu, thotë se nuk do t’i konfiskojnë mallrat që janë në tregun e Kosovës me mbishkrim UNMIK/Kosovë, por që për një gjë të tillë kanë marrë masa të tjera.

Produkt i importuar...
Produkt i importuar...
“Në këtë drejtim Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me shoqatat biznesore në Kosovë dhe Doganat e Kosovës, ka marrë vendim që nga një maji nuk do të lejohet hyrja e produkteve me mbishkrim UNMIK/Kosovë në tregun e brendshëm të Kosovës”.

“Lidhur me produktet, të cilat janë në treg dhe në deponi, në këtë drejtim ne iu kemi dhënë një mundësi që ato stoqe t’i përmirësojnë ose për ato stoqe deri në shitjen e tyre nuk do të marrim masa administrative”, thekson Shehu.

Mbishkrimi UNMIK/Kosovë në produktet e importuara është në kundërshtim me Udhëzimin dhe Ligjin për Paketim dhe Etiketim. Në Kosovë ka produkte të shumta me mbishkrime të tilla. Produktet që më së shumti mbajnë këtë mbishkrim importohen nga Serbia.

Ruzhdi Shehu sqaron se qëllimi i Inspektoratit është që të gjejë mundësi sa më të lehta për ndalimin e importit me këtë mbishkrim. Ai thekson se kjo më së lehti do të mund të realizohet nëse bizneset, të cilat kanë importuar deri më tani mallra me këtë mbishkrim, të mos e bëjnë më një gjë të tillë.
...asnjë mall, i cili ka këtë mbishkrim, nuk do të lejohet të hyjë në tregun e brendshëm të Kosovës.


“Lidhur me atë se a do ta respektojnë bizneset këtë vendim, mendoj se bizneset duhet ta bëjnë këtë, në të kundërtën, asnjë mall, i cili ka këtë mbishkrim, nuk do të lejohet të hyjë në tregun e brendshëm të Kosovës”, deklaron Shehu.

Organizatat ekonomike në Kosovë vazhdimisht iu kanë tërhequr vërejtjen autoriteteve kosovare për këtë çështje. Ata, po ashtu, kanë kërkuar edhe nga kompanitë vendore, që importojnë mallra nga ato kompani të shteteve, të cilat vendosin mbishkrimin UNMIK/Kosovë, që ta korrigjojnë këtë.

Ata kanë thënë se praktika të tilla janë kundër interesave të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe kundër promovimit të vlerave të shtetësisë kosovare.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e kanë obligim ligjor të drejtpërdrejtë kontrollimin e shkrimeve të mallit, por që nëse hasin në raste të tilla, ata marrin masat e duhura.

“Dogana e Kosovës, kontrollet në kufi i zbaton në mënyrë selektive, dhe nuk mund të themi se ka një kontroll 100 për qind të secilës ngarkesë për arsye se po të ishte ashtu, do të kishte radhë të gjata, por vetëm në ato produkte që kanë një rrezikshmëri të lartë. Por, ku kemi ndonjë rast me këtë mbishkrim, ne marrim masa dhe e njoftojmë Inspektoratin e Tregut”, bën të ditur Stavileci.
XS
SM
MD
LG