Ndërlidhjet

Ban: Siria nuk bashkëpunon me planin e OKB-së


Siri...
Siri...
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, thotë se Siria nuk po bashkëpunon me planin paqësor të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që synon përfundimin e dhunës dhe gjakderdhjes njëvjeçare.

Në një deklaratë me shkrim, zoti Ban tha se “ishte thellë i trazuar” me raportet se armatimi i rëndë i Sirisë ishte ende i vendosur në hapësirat e banuara.

Deklarata e Ban Ki-munit u bë, pas raporteve të ditës së enjte për një shpërthim në një ndërtesë me banesa në qytetin Hama.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së tha se “ishte shumë i alarmuar” për raportet për vazhdimin e dhunës dhe vrasjeve në Siri, përfshirë bombardimet dhe eksplodimet në hapësirat e banuara.

Qeveria tha se 16 vetë janë vrarë nga ky shpërthim, për të cilin ajo i fajësoi, siç thotë, “terroristët” prodhues të bombave.

Aktivistët opozitarë thanë se ndërtesa ishte goditur nga predhat e forcave të qeverisë dhe se afro 50 vetë janë vrarë.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, ka kërkuar vendosjen e shpejtë të monitoruesve të Kombeve të Bashkuara në Siri dhe tha se ishte në kontakt me të dërguarin ndërkombëtar, Kofi Anan, dhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.

Këtë mëngjes unë fola me Kofi Ananin dhe zbulova se ai është i shqetësuar njëjtë sikur unë. U pajtuam që unë të dërgoj letër te Ban Ki-muni, të cilën ai pastaj do ta shpërndajë. E kam shtruar domosdoshmërinë e vendosjes së shpejtë të monitoruesve, për të cilën gjë ka vendosur edhe Këshilli i Sigurimit , prandaj kjo duhet të ndodhë pa shtyrje”, tha Nabil Elaraby, në takimin e Ligës Arabe në Kajro.

Liga Arabe, po ashtu, në një deklaratë, ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të ndërmarrë aksion të menjëhershëm për t’i mbrojtur civilët në Siri.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuar, Sjuzën Rajs, ka përsëritur se qeveria e presidentit Bashar al-Asad, ka dështuar të veprojë në linjë me përkushtimet e saj dhe theksoi se është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit t’i shqyrtojë sanksionet kundër Sirisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, aktualisht në Siri gjenden 11 monitorues të OKB-së.

Ban Ki-mun pat thënë se 100 monitoruesit e parë prej 300 sa planifikohet, duhet të jenë në terren brenda në Siri, deri në fund të muajit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Rusisë, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të sigurojë se të gjitha palët në konfliktin në Siri, të konsiderohen përgjegjëse për përfundimin e dhunës.

Aktualisht ne shohim se detyra kryesore është implementimi i përpiktë dhe preciz i vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë, që përgjegjësinë e hedhë në qeveri dhe në palët e tjera për përfundimin e dhunës dhe për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me monitoruesit e OKB-së dhe me masonin e të dërguarit special Kofi Anan. Duhet në tërësi të shfrytëzohet rasti për ndaljen e gjakderdhjes dhe vuajtjeve të civilëve”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Rusisë, Aleksander Llukasheviq, në Moskë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG