Ndërlidhjet

Economist: Zgjedhjet serbe të paparashikueshme


“Economist”


Më 6 maj, Franca voton për presidentin, ndërsa grekët dhe armenët për parlamentet. Për serbët, kjo datë është një krismë më e madhe: ata do të votojnë për presidentin, parlamentin, pushtetet lokale, në Vojvodinë dhe për asamblenë rajonale.

Në Kosovë po ashtu mund të votojnë shumë serbë, por kjo është e diskutueshme dhe mund të çojë në dhunë.

Me Kosovën mënjanë, zgjedhjet serbe janë të paparashikueshme. Sondazhet i japin Boris Tadiqit të Partisë Demokratike pak nën 36 për qind të votave, ndërsa Tomisllav Nikolliqit, liderit të Partisë Progresive Serbe, pak mbi 36 për qind.

Rrjedhimisht, balotazhi mes tyre është i mundur dhe ai do të ndikohej nga zgjedhjet parlamentare.

Zoti Tadiq reklamon veten e tij si pro-evropian dhe pro-reformues. Por, ai duket i lodhur dhe ekonomia është në vështirësi.

Një sondazh ka treguar se 80 për qind e serbëve janë të pakënaqur dhe të inatosur, 77 për qind ndjehen të pafuqishëm dhe pashpresë, ndërsa 60 për qind janë të brengosur.

Rolin kryesor duket se do ta ketë Ivica Daçiq, lideri i Partisë Socialiste. Ai është një dinak në politikat serbe. Në vitet e luftës, ishte zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit. Pas rrëzimit të tij në vitin 2000 dhe vendosjes në Gjykatën për Krime Lufte, Daçiq ndërhyri për të shpëtuar partinë. Tani, është ministër i Brendshëm.

Kur disa serbë u arrestuan në Kosovë, pasi bartnin materiale zgjedhore, ai arrestoi disa shqiptarë të Kosovës, duke u lavdëruar se kjo ishte një masë reciproke.

Po sipas saj, Daçiq ka të ngjarë t’i qepet Partisë Demokratike, por ai mund të zgjedhë edhe Partinë Progresive nëse i bën ofertë më të mirë, si atë të kryeministrit.

Partia Progresive është formuar në vitin 2008 kur Tomisllav Nikolliqi dhe Akeksandar Vuçiqi kanë larguar ndjekësit e tyre nga ekstremi nacionalist – Partia Radikale, udhëheqësi i së cilës po ashtu është në gjyqin për krime lufte.

Çdo qeveri e re do të ketë kohë të vështirë. Papunësia është 24 për qind dhe më shumë se 40 për qind e prodhimit është ekonomi e zezë.

Në shkurt, pasi shumë punëtorë nuk janë paguar, shumë serbë kanë marrë pensione në vend të pagave.

Megjithatë, kompanitë e huaja vazhdojnë të investojnë në Serbi, jo më pak se Fiati – prodhuesi italian i makinave – i cili sapo ka hapur fabrikën në vlerë prej 1 miliard eurosh.

Me pak kohë që ka mbetur, është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë.

Autoritetet serbe janë tërhequr nga përpjekjet për të organizuar zgjedhjet lokale për serbët atje, edhe pse dy komuna në veri mund t‘i mbajnë ato.

Nëse Serbia vendos të mbajë presidencialet dhe parlamentaret në veri, Qeveria e Kosovës mund të bëjë fare pak.

Por, nëse bën përpjekje t’i organizojë ato në jug, ku jeton shumica e serbëve të Kosovës, atëherë mund të ketë gjakderdhje.

NATO-ja po merr masat, me vendosjen e 700 paqeruajtësve shtesë për të penguar dhunën.

Derisa Serbia të ketë qeverinë e re, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, do të mbetet pezull.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, thotë se nuk brengoset nëse do të ketë ndryshime në Qeverinë në Beograd.

Bisedimet do të vazhdojnë dhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise, ashtu siç bën Kosova, sepse “ata nuk kanë zgjidhje tjetër, pos të vazhdojnë të jenë pro-evropianë”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG