Ndërlidhjet

Ethet e shkarkimeve në Maqedoni


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Shkarkimi i dhjetëra drejtorëve të ndërmarrjeve publike, institucioneve të ndryshme të shtetit, si dhe ndërrimi i udhëheqësve të komiteteve komunale të partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, është reflektim i një nervozizmi për dështimet e njëpasnjëshme të krerëve të partisë për rimëkëmbjen e ekonomisë, e veçanërisht dështimit të procesit euro-integrues që lidhet dhe me samitin e radhës së NATO-s në Çikago, theksojnë analistët politikë.

Mendoj se bëhet fjalë, thjesht, për marketing politik, më saktësisht hedhje hi syve të opinionit, pasi që realisht nuk kemi rezultate konkrete. Nëse flasim për përgjegjësi, atëherë përgjegjësia duhet kërkuar nga lart poshtë. Nuk mund të amnistohen ministrat, zëvendëskryeministrat dhe përgjegjës të jenë ata të cilët kanë ekzekutuar urdhrat e tyre”, shprehet Mersel Bilalli, analist politik.

Ndryshe, analisti maqedonas Zdavko Savevski konsideron se ndryshimet kadrovike bëhen për të krijuar pozicione më të mira para zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen brenda një viti, por kjo, siç thekson ai, nuk është mundësia e vetme.
Ky rifreskim i kuadrit udhëheqës është në funksion të zgjedhjeve lokale, që të ofrohet një mundësi gjithëpërfshirëse për anëtarësinë e partisë.

“Ky rifreskim i kuadrit udhëheqës është në funksion të zgjedhjeve lokale, që të ofrohet një mundësi gjithëpërfshirëse për anëtarësinë e partisë. Por, nuk duhet përjashtuar dhe mundësia e një tronditjeje më të thellë brenda partisë, për të cilën opinioni në këtë fazë mund të ketë shumë pak informacione”, thekson Savevski.

Nga ana tjetër, Mersel Billali vlerëson se shkaku i moszgjidhjes kontestit të emrit me Greqinë, gjithnjë e më shumë po shtohet nervozizmi tek elitat udhëheqëse të vendit.

“Së pari është brengosja e rënies së rejtingut të partive politike në pushet dhe e dyta është defokusimi i opinionit për shkak të rezultatit negativ në procesin e integrimeve, edhe pse një kohë të gjatë u eksploatua vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Maqedonisë”, thotë Bilalli.

Ndryshe, sipas partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, arsyeja e vetme për ndërmarrjen e kësaj mase, është përgatitja për përballjen në mënyrë efikase me sfidat e reja dhe plotësimi i nevojave të qytetarëve.

“Tani jemi të përqendruar në realizimin praktik nga konkluzionet që dolën nga kjo analizë pesë-mujore për punën dhe suksesin që kanë treguar zyrtarë të caktuar, si dhe dështimet e disave nga ta”, thotë Ilija Dimovksi, zyrtar i lartë i VMRO DPMNE-së, duke i bërë thirrje edhe partnerit të koalicionit qeveritar, BDI-së, që të përfshihet në valën e shkarkimeve të funksionarëve në administratën shtetërore.

“Ne u apelojmë dhe do të përshëndesim të gjitha aktivitet në këtë drejtim, nga të gjithë partnerët tanë të koalicionit”, deklaron drejtori i Qendrës për Komunikim i kësaj partie, Ilija Dimovski, duke nënvizuar se një veprim i këtillë do të shërbejë në të mirë të gjithë qytetarëve.

Ndërkohë, partia shqiptare në pushtet, BDI, ka refuzuar të komentojë kërkesën e partnerit të saj maqedonas në Qeveri, VMRO DPMNE-së, duke thënë shkurt se tani për tani në parti nuk është hapur tema e ndryshimeve kadrovike.
XS
SM
MD
LG