Ndërlidhjet

Këmbëngulja e serbëve për zgjedhje në veri


Zgjedhjet serbe
Zgjedhjet serbe
Pavarësisht kundërshtimeve të Beogradit zyrtar ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, udhëheqësit e serbëve të veriut të Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin në organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, të paktën në dy komuna të veriut të vendit, në Zubin Potok dhe Zveçan.

Politikanët serbë nga kjo pjesë e vendit, thonë se qëllimet dhe arsyet e kësaj këmbënguljeje janë të qarta, por ata kanë pikëvështrime dhe qasje të ndryshme lidhur me këtë fakt.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Mitrovicës, këmbënguljen e serbëve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe e sheh si legjitime për shkak se, sipas tij, ata duan ta realizojnë të drejtën, siç e quan ai legale.

“Vetëm një shtet legal ka të drejtë të mbajë zgjedhje lokale. Në rastin e tanishëm, është fakt se serbët e këtyre dy komunave do të dalin në zgjedhje lokale, përafërsisht në bazë të Kushtetutës që tash është e vlefshme, si dhe rregullave dhe ligjeve të shtetit serb”.

“Do të thotë, komunat i kanë formuar Komisionet zgjedhore komunale dhe ato, ashtu si edhe të gjitha komunat tjera në kuadër të së ashtuquajturës Serbi qendrore, mbi ato principe i organizojnë zgjedhjet lokale”
, thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Jakshiq vlerëson se Beogradi ka qasje të dyfishtë sa i përket çështjes së organizimit të zgjedhjeve lokale serbe në veri të Kosovës. Sipas tij, ekziston një numër i madh i njerëzve, të cilët e përkrahin mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi kalkulon për shkak të interesave që ka në raport me Bashkimin Evropian.

Por, këmbënguljen e serbëve të veriut për të mbajtur zgjedhje lokale në Zubin Potok dhe Zveçan, krejtësisht ndryshe e sheh Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga Leposaviqi. Sipas tij, një gjë e tillë paraqet një akt krejtësisht joracional nga ana e udhëheqësve serbë të veriut të Kosovës.

Por, siç thotë Kërstoviq, ekziston edhe dimensioni i dytë i kësaj çështjeje, që nënkupton se ata udhëheqës serbë që me këmbëngulje po përpiqen t’i mbajnë zgjedhjet lokale serbe, në fakt po përpiqen që të sigurojnë për vete pozita politike dhe të tjera, përmes të cilave në të ardhmen mund të parashtrojnë edhe disa kushte.
Kjo është një përllogaritje e tyre në mënyrë që të arrijnë një formë të kapacitetit politik...

“Kjo është një përllogaritje e tyre në mënyrë që të arrijnë një formë të kapacitetit politik, përmes të cilit, në një moment të caktuar, do të mund të parashtronin kushte të caktuara”.

“Të themi, nëse në të ardhmen do të kemi të bëjmë me formimin e disa këshillave të përkohshëm, ose caktimin e koordinatorëve për ato dy komuna, me ndonjë kompromis të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, atëherë ata mendojnë që përmes këtyre zgjedhjeve, do të mund t’ia sigurojnë vetes ndonjë legjitimitet dhe të arrijnë ndonjë formë të kapacitetit politik, i cili mund të parashtrojë kushte të caktuara”,
shprehet Kërstoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, zgjedhjet lokale serbe në Kosovë i kanë kundërshtuar fuqishëm krerët e institucioneve të larta të vendit, të cilat kanë theksuar se nuk do të lejojnë që ato të mbahen.

Kundërshtime ka pasur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkaq, që zyrtarët e Beogradit kanë theksuar se nuk do ta njohin rezultatin e këtyre zgjedhjeve nëse ato mbahen eventualisht.

Por, Jakshiq insiston se Beogradi zyrtar po luan lojë të dyfishtë. Sipas tij, Beogradi do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve herët apo vonë, ndërkohë që kundërshtimi i saj është vetëm sa për të dalë, siç tha ai, ‘me duar të lara” para Brukselit.
Thjesht, kjo, para së gjithash, është ‘larje e duarve’ ose të themi ‘shpëlarje e dhëmbëve’, para Bashkimit Evropian...

“Thjesht, kjo, para së gjithash, është ‘larje e duarve’ ose të themi ‘shpëlarje e dhëmbëve’, para Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh që Beogradi të gjitha letrat e saj i ka vënë në letrën evropiane”, thekson Jakshiq.

Por, mendim tjetër shpreh Kërstoviq, sipas të cilit kundërshtimet e Beogradi zyrtar ndaj zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës janë të sinqerta, ndonëse një fakt të tillë, siç thotë ai, do ta përdorë për të përfituar koncesione të caktuara.

“Kam përshtypjen që qëndrimi i Beogradit është në një masë të konsiderueshme i sinqertë kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Por, në anën tjetër, kjo mund të nënkuptohet se Beogradi përsëri po i siguron vetes pozicionin për ndonjë formë tjetër të hapit politik, në një kohë të ardhme”, konsideron Kërstoviq.

Sidoqoftë, kundërshtimet e institucioneve të Kosovës ndaj zgjedhjeve lokale serbe në vend, janë përsëritur disa herë, ndërkohë që ato kanë paralajmëruar se për moslejimin e mbajtjes se këtyre zgjedhjeve, ekziston edhe një plan operativ i Policisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG