Ndërlidhjet

Maqedoni, polemika për Gjykatën Kushtetuese


Ilustrim

Ilustrim

Duhet të ndryshohet forma e zgjedhjes, por edhe e funksionimit në përgjithësi e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, vlerësojnë ekspertët për çështje juridike duke komentuar polemikat që po zhvillohet rreth zgjedhjes së tre anëtarëve të kësaj gjykate me propozim të partive në pushtet.

Në fakt, sipas opozitës, shumica parlamentare, përmes vendosjes së kuadrove partiake dhe të paaftë po partizon skajshmërisht institucionin që duhet të mbikëqyrë respektimin e aktit më të lartë juridik në vend.

Por, partitë në pushtet hedhin poshtë këto akuza, ndërsa për partizim të gjyqësorit akuzojnë pikërisht partitë në opozitë. Duke komentuar polemika e këtilla, Ruhi Bakiu, ekspert për çështje kushtetuese, thotë:

Nëse kjo çështje shikohet ashtu siç janë duke e parë deputetët e Kuvendit nga prizmi politik, përkatësisht, prizmi partiak, atëherë me të drejtë edhe vetë pozita mund ta parashtroj pyetjen se cilët janë kandidatët, që aktualisht janë në Gjykatën Kushtetuese, e që janë zgjedhur gjatë kohës kur kjo opozitë e sotshme, dje ishte pozitë”.

“Dhe, nëse këta gjykatës janë zgjedhur nga opozita e tanishme, atëherë me të drejtë mund të parashtrohet edhe pyetja se të njëjtit kanë mundur të jenë subjektivë me rastin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve, të cilat janë vlerësuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese deri më tani”.

Bakiu, ligjërues i së Drejtës Kushtetuese, konsideron se dy blloqet politike me veprimet e deritashme kanë ndikuar në politizimin dhe partizimin e skajshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë kuadër, Savo Klimovski, is- kryetar i Kuvendit dhe po ashtu ligjërues i së Drejtës Kushtetuese, thotë se duhet bërë ndryshime rrënjësore në punën e Gjykatës Kushtetuese, që ajo të jetë profesionale dhe e pandikuar nga politika.

“Ndryshimet duhet të përfshijnë gjithë materien që nga mënyra e rregullimit të raporteve, kompetencat, statusi, zgjedhja e gjykatësve, pra gjithçka që ka bëtë bëjë me punën e kësaj gjykate duhet të ndryshohet. Si zgjidhje mund të aplikohet modeli kroat - nxjerrja e një ligji kushtetues”, vlerëson Klimovski.

Ai kërkon qasje konstruktive nga ana e opozitës, e cila është më e zëshme në kundërshtimin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Klimovskit, në vend të kritikave, ajo do të duhej të dilte me zgjidhje konkrete, t’u propozonte njerëzve që kanë autoritet, që janë të kualifikuar dhe profesionistë.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë numëron 9 anëtarë, tre prej të cilëve zgjidhen nga Kuvendi, me propozim të partive politike; dy zgjidhen me propozim të presidentit të shtetit, ndërsa të tjerët me propozim të Këshillit Gjyqësor Republikan.

Tensionet mes pushtetit dhe Kushtetueses u përshkallëzuan pas vendimit të Gjykatës për të shfuqizuar shumë vendime të Qeverisë, përfshirë edhe shumicën e neneve të Ligjit për lustrim.

Kjo i parapriu vendimit të Komisionit për Lustrim, i cili si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete në kohën e ish-regjimit komunist, nxori pikërisht kreun e Kushtetueses, Trëndafil Ivanovski, i cili, më pas u shkarkua edhe nga posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG