Ndërlidhjet

Ferizaj voton kryetarin


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Qytetarët e Ferizajt votojnë sot për të zgjedhur të parin e qytetit në mes të tetë kandidatëve, gjashtë prej të cilëve vijnë nga partitë politike, një është nga inicativa qytetare dhe një është kandidat i pavarur.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat mbahen pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Bajrush Xhemajli, i cili u shpall fajtor si shkaktar i një aksidenti në maj 2009-ës në të cilin humbi jetën një person dhe disa të tjerë u lënduan.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përgatitjet janë kryer me kohë, në mënyrë që të gjitha qendrat dhe vendvotimet të hapen në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00.

"Të gjitha përgatitjet, ashtu siç parashihen me Ligj për zgjedhjet lokale janë bërë nga ana e KQZ-së. Janë 25 qendra të votimit, kurse 124 vendvotime me gjithsej 95.449 votues, aq sa i përmban lista votuese. Pritjet tona janë që me siguri se nuk do të ndryshojë dalja e votuesve, krahasuar me zgjedhjet paraprake”, bën të ditur Daka.

Kryetarja e KQZ-së, thotë po ashtu se për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.

Tetë kandidatët që synojnë të marrin timonin e qytetit të Ferizajt janë Agim Aliu (PDK), Adem Salihu (LDK-LDD), Ramadan Hasani (AKR), Naim Ferati (AAK), Faton Topalli (VV), Bujar Ademi (PD) Ramadan Emini (Lëvizja e Bashkuar) si dhe Rrahim Sadiku, si i pavarur.
XS
SM
MD
LG