Ndërlidhjet

Paga minimale 130 euro:S’ofron standard, por premton punësim


Ilustrim

Ilustrim


Vendimi i Këshillit Ekonomik Social që paga minimale në Kosovë të jetë 170 euro nuk është aprovuar asnjëherë nga autoritetet kosovare. Këtë, së fundi, e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Vendimi për mosndryshimin e kësaj page, vjen nga rekomandimet e Ministrisë së Financave, kishte thënë Rashiq.

Lidhur me pagën minimale prej 130 euro, ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se kjo pagë as për së afërmi nuk i përmbushë nevojat ekzistenciale për një person që ka një pagë të tillë. Sipas tyre, kjo pagë pamundëson furnizimin me gjëra elementare për të jetuar.

“Duke u bazuar në të dhënat statistikore, mund të themi se paga minimale në Kosovë, e që sillet rreth 130 euro, është e pakët, dhe shumë vështirë të jetohet me këtë pagë. Kjo për arsye se çmimet janë të larta dhe shpenzimet janë të mëdha”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri.

Çmimet e konsumit në Kosovë që nga viti i kaluar kanë shënuar rritje të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,1 për qind në muajin mars 2012, krahasuar me muajin shkurt 2012.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2012 me muajin mars 2011 ishte 0,6 për qind.

Ngritje e çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vërehet te qumështi, djathi dhe vezët, buka dhe drithërat, pastaj karburantet, nafta dhe benzina, që përdoren për transport personal.

Kjo ngritje e vazhdueshme e çmimeve, sipas Isa Tahirit, e bën të pamundur të jetojë një njeri me një pagë prej 130 eurosh.
Në të vërtetë, është një pagë katastrofale dhe për atë quhemi shteti më i varfër në Evropë.
“Në të vërtetë, është një pagë katastrofale dhe për atë quhemi shteti më i varfër në Evropë. Duke u bazuar edhe në një element tjetër, tek inflacioni, ku vetëm vitin e kaluar janar-shkurt-mars, inflacioni ka qenë 25. 4 për qind, pra me këtë pagë është një shportë tejet e varfër për ekzistencën”, thekson Tahiri.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve të Kosovës, pagën minimale më të ulët e shohin si një mundësi më të mirë për punësim më të madh.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ata kishin propozuar që paga minimale të jetë 170 euro, pasi që këtë pagë punëdhënësit do të ishin të gatshëm ta paguanin.

Ai thotë se as paga 170 euro nuk do të mundësonte një standard të mirë jetësor, por që, sipas tij, paga minimale më e ulët do ta rriste punësimin.

“Ajo që ne e kemi përdorur si logjikë ekonomike, është se një pagë minimale jo shumë e lartë, por e arsyeshme, do të mund të jetë edhe si një motiv shtesë për firmat të punësojnë më shumë (punëtorë). Në pagë minimale më e lartë do të ndikonte që firmat të punësonin më pak, prandaj ne kemi argumentuar në drejtim të asaj që paga minimale të mos jetë vetëm bazë e dëshirave, por të jetë konform edhe objektivave kryesore që e kemi uljen e papunësisë”, sqaron Rukiqi.

Krahasuar me vendet e rajonit, paga minimale në Kosovë prej 130 eurosh, sipas Rukiqit, është e njëjtë me shumicën e shteteve të rajonit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG