Ndërlidhjet

Shkup: Ish të burgosurit paralajmërojnë padi ndaj shtetit


Ilustrim me pamje nga Shkupi...

Ilustrim me pamje nga Shkupi...

Periudha e kaluar në burgjet e ish-Jugosllavisë të llogaritet si përvojë pune për ish të burgosurit politikë, me çka kësaj kategorie do t`i mundësohet pensionimi. Kjo është nga pikat që ngërthen në vete propozim-ligji për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë, propozuar nga partia politike shqiptare në pushtet, BDI.

Por, kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, thotë se ligji i propozuar në këtë formë siç është dorëzuar në procedurë parlamentare, në vete ngërthen shumë mangësi, andaj ai ka kërkuar që në të, të përfshihen dhe vërejtjet e anëtarëve të shoqatës, të cilët edhe janë viktima të ish-regjimit.

“Kështu siç është paralajmëruar për një kompensim stazhi, si dhe për një përkujdesje sociale për një kategori të diferencuarish politikë pas `81-shit, nuk vjen aspak parasysh, ngase në këtë formë ligji do të dëmshpërblejë vetëm një numër të vogël të viktimave të ish-regjimit, dhe ne këtë mundësi e kemi pasur që para 5-6 vjetësh të rregullohet kjo çështje”.

“Kështu që, nëse nuk përfshihen në plotësimin e ligjit edhe vërejtjet tona si shoqatë, atëherë ne do të insistojmë të miratohet një ligj tjetër i hartuar nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, ku do të përfshihen të gjitha kategoritë e persekutuara politike shqiptare, që nga viti 1944 deri më 1991”.


“Do të thotë të përfshihen të gjithë ata njerëz të pushkatuar me gjyq, ose pa gjyq, partizanë, njerëz të internuar, të dënuar nga gjyqet popullore , gjyqet e rregullta të parregullta, gjyqet ushtarake...”, thotë Pollozhani.

Ai thekson se veçanërisht është e rëndësishme që me ligj të zhvleftësohen gjegjësisht të shpallen të pavlefshme të gjitha vendimet politike të ish-sistemit politik.

Kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik Shqiptarë në Maqedoni, Pollozhani, është shprehur i indinjuar se nuk është thirrur për konsultim nga udhëheqësit politikë shqiptarë, as nga opozita, e as nga ajo në pushtet, edhe pse një gjë të këtillë me shkrim ai e ka kërkuar ka më shumë se tre muaj.

“Fatkeqësisht, për këtë ligj të propozuar nga BDI-ja, nuk jemi konsultuar aspak, edhe pse pas Vitit të Ri, unë menjëherë u kam dërguar një letër të gjithë kryetarëve shqiptarë të partive politike, konkretisht edhe kryetarit të BDI-së, zotit Ali Ahmeti, ku i kam informuar me aktivitetet e shoqatës. Veç tjerash kam theksuar padinë që përgatisim kundër shtetit dhe protestën e qershorit. Po unë nuk kam asnjë lloj përgjigje, andaj dhe kjo iniciativë e ligjit nuk na duket dhe punë aq serioze”, thekson Pollozhani.

Por, partia shqiptare në pushtet, BDI, konsideron se ligji është në fazë pune dhe mund të pësojë ndryshime pa dashur të saktësoj se do të inkorporohen ose jo vërejtjet e Shoqatës së ish të Burgosurve Shqiptarë Politikë.

“Ideja që në Maqedoni janë pjekur kushtet që të miratohet një ligj për rehabilitimin e të gjithë atyre që kanë pësuar nga ish-regjimi, është shndërruar në tekst pune. Si përpilues të tekstit të punës, partnerit të koalicionit, këtë tekst pune ia kemi dorëzuar për ta shqyrtuar dhe të mund të vijmë në përfundim që dallimet, të cilat mund të dalin gjatë shqyrtimit, të mund t`i koordinojmë”.

“Me rëndësi është që ligji përfshin të gjitha modalitetet e mundshme të rehabilitimit dhe dëmshpërblimit të të gjithë atyre që kanë pësuar, përfshin procedurat për inicim të procesit të rehabilitimit të personave, përfshin institucionet që duhet të jenë të autorizuara për ta menaxhuar gjithë këtë proces dhe përderisa është në fazë pune, si tekst pune, nuk do të doja të predikoja më tepër për esencën se çka ngërthen”,
shprehet Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Ndërkaq, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, tashmë më ka filluar me fushatën për paditjen e shtetit, dhe me një protestë para Qeverisë, më 8 qershor, ku të gjithë personat, të cilët do të padisin shtetin, do të lënë nga një kopje para hyrjes së Qeverisë.

Ndryshe, në Maqedoni janë rreth 24 mijë shqiptarë, të cilët ishin viktimë e ish- regjimit, po edhe pas pavarësisë, një pjesë e tyre kanë vuajtur dënimin për shkaqe politike.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë vuajtur dënimin në burgjet e Maqedonisë si pasojë e kërkesave për më shumë të drejta për shqiptarët, si dhe idesë për të jetuar në një shtet të përbashkët shqiptar.
XS
SM
MD
LG