Ndërlidhjet


"Wall Street Journal"


Zyrtarët në shtetin gjerman të Bavarisë nuk kanë dashur kurrë të publikojnë librin “Mein Kampf”, të shkruar nga Adolf Hitleri, por ata janë detyruar nga interneti.

Qeveria e Bavarisë ka trashëguar të drejtën autoriale të veprës më 1945, kur shteti ka marrë shtëpinë botuese Eher-Verlag, si pjesë e programit të de-nazizmit. Sipas ligjit gjerman, të drejtët autoriale skadojnë 70 vjet pas vdekjes së autorit, që në këtë rast do të thotë në vitin 2015.

Libri ka qenë i padisponueshëm në Gjermani që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Javën e kaluar, Bavaria ka njoftuar se do të lëshojë një botim që përfshin kritika shkencore të temave të hidhura të Hitlerit për anti-semitizëm, për zgjerimin e Gjermanisë në territorin e fqinjëve të saj dhe për mburrjen e tij për perandorinë 1,000 vjeçare ariane.

Libri, titulli i të cilit është përkthyer si “Lufta ime”, është një seri kritikash të diktuara nga Hitleri për Rudolf Hesin, në kohën kur Hitleri ka qenë në burg, në vitet 1920, për përpjekje për të përmbysur qeverinë parlamentare të Gjermanisë.

Ai është shitur në 10 milionë kopje dhe çdo çift gjerman, i martuar nga viti 1936, ka marrë një kopje si dhuratë martese nga qeveria naziste.

Gjermania ka qenë e matur në lidhje me lehtësimin e politikave të saj anti-naziste për shkak të respektit për viktimat e Holokaustit dhe shqetësimit nga grupet neo-naziste. Për shembull, në Gjermani mbetet krim përshëndetja “Heil Hitler” ose përdorimi i svastikës.

Biografia famëkeqe e Hitleit është botuar së pari më 1925.

Bavaria ka përdorur të drejtën autoriale për të bllokuar botimin. Në vitin 1990, vendi i ka ndaluar Amazonit të shesë kopje të librit në Gjermani, si dhe ka bindur ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të ndalojë shitjet në bazat amerikane në Gjermani.

Në vitin 2010, Bavaria është zotuar se “do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion” për të ndaluar botimin e kopjeve dhe këtë vit ka ndaluar një shtërpi botuese britanike nga botimi i versionit në gjuhën gjermane.

Disponueshmëria në rritje online ka bërë që zyrtarët bavarezë të vendosin në favor të lejimit të librit, por duke shtuar esetë e studiuesve që shpjegojnë kontekstin e dëmshëm të librit dhe rezultatet historike.

Duke bërë publik ndryshimin e mendjes, ministri i Financave të Bavarisë ka thënë se ky hap do të ndihmojë në “demistifikimin” e Hitlerit dhe do të shpjegojë “katastrofën mbarëbotërore” të filozofisë dhe veprimeve naziste.

Kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Diter Grauman, është pajtuar.

“Unë natyrisht se do të preferoja që libri të zhdukej në një grumbull plehrash të përbuzjes, por kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ai, pasi libri mund të gjendet online.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë se çfarë ka shkruar ky kriminel dhe cilat kanë qenë qëllimet e tij... Nëse ju jeni të etur për ta gjetur, mund ta gjeni në internet. Nuk mund ta keni më situatën kur vetëm gjermanët nuk lejohen ta lexojnë atë në gjuhën e tyre”, thotë në anën tjetër Rafael Zeligman, botues i gazetës “Zëri i Hebrenjve”.

Ndoshta arsyeja më e mirë për t’i dhënë popullit qasje në “Mein Kampf” është ajo që ka dhënë Uinston Çerçill në historinë e tij “Lufta e Dytë Botërore”.

Çërçill ka shkruar se libri i Hitlerit ka qenë burim i rëndësishëm për t’i kuptuar politikat naziste dhe se aleatët duhet ta marrin mesazhin e tij më seriozisht.

“Këtu ka qenë Kurani i ri i besimit dhe luftës: i fryrë, fjalëshumë, pa formë, por i plotë në mesazhin e tij”, ka shkruar Çërçill.

Kërkimi për “Mein Kampf” në Google siguron disa versione online, përfshirë dhe përkthimin e Shteteve të Bashkuara, të botuar më 1939.(v.t.)
XS
SM
MD
LG