Ndërlidhjet

Fyle: Jo zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë

  • RFE /RL

Shtefan Fyle - foto nga arkivi

Shtefan Fyle - foto nga arkivi

Komisioneri i zgjerimit Shtefan Fyle ka thënë të hënën në Bruksel se nuk ka vend për zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, dhe se këtë qëndrim, që ai e kishte shprehur edhe më parë, e mban edhe sot.

Por, Fyle ka thënë se për ata në Kosovë, të cilët kanë të drejtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, duhet të gjenden mundësitë që t’u jepet rasti të votojnë në këto zgjedhje.

Shtefan Fyle i ka bërë këto komente duke folur në një konferencë në Bruksel, kushtuar bashkëpunimit rajonal në territorin e Ballkanit dhe të ardhmen e këshillit të bashkëpunimit rajonal.

Pasi që tema ka qenë bashkëpunimi rajonal, shumica e folësve kanë përmendur edhe marrëveshjen e fundit të arritur në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, dhe kanë shprehur keqardhje se marrëveshja e arritur është interpretuar në mënyrë të ndryshme dhe nuk po zbatohet.

Shtefan Fyle ka thënë se i vjen keq që Serbia dhe Kosova kanë filluar ta interpretojnë në mënyrë të ndryshme këtë marrëveshje, dhe ajo ka rezultuar me moszbatimin e duhur të saj.

Ai ka thënë se pret si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova, që pas zgjedhjeve në Serbi të gjejnë mënyrë pragmatike për zbatuar këtë marrëveshje, në mënyrë që të mundësohet bashkëpunimi rajonal pa u penguar.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë dhe Hido Bishçeviq, që është sekretar i përgjithshëm i këshillit të bashkëpunimit rajonal, me seli në Sarajevë.

Ai ka dhënë disa raste konkrete se si pengohet zbatimi i marrëveshjes në pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e këtij këshilli.

Ai ka thënë se në Sarajevë, delegacioni i Serbisë nuk kishe pranuar të marrë pjesë në një konferencë, pasi që emri i Kosovës ishte i shkruar vetëm me shenjë, pa përmendur edhe fusnotën.

Po ashtu, ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me të ardhmen e takimeve rajonale, sidomos atyre që duhet të zhvillohen në Serbi.

Bishçeviq ka kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që të bëjë më shumë në sqarimin e paqartësive, që kanë lindur si rezultat gjatë interpretimeve të ndryshme të marrëveshjes nga ana e Serbisë dhe e Kosovës.
XS
SM
MD
LG