Ndërlidhjet

OSBE arrin marrëveshje për zgjedhjet serbe


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
OSBE përmes një komunikate për media ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për rolin lehtësues që do ta ketë ky mision në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.

Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Irlandës, Imon Gilmor ka mirëpritur këtë marrëveshje, derisa ka sqaruar se vetë ai ka qenë në kontakt me palët e përfshira, por pa i specifikuar ato.

Mirëpres marrëveshjen që është arritur sot sa i përket rolit lehtësues të misionit të OSBE-së në Kosovë për (organizimin) e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë".

"Në ditët e fundit, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira, së bashku sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, për t’i inkurajuar ata që të ndërmarrin një qasje pozitive”, ka thënë përmes njoftimit për media të OSBE-së, Gilmor.

Është thelbësore që zgjedhjet të mbahen sipas marrëveshjes së arritur dhe duke respektuar plotësisht rolin e OSBE-së”, ka thënë ai.

Nëse nuk ndodh kështu, OSBE rezervon të drejtën për t’u tërhequr nga roli lehtësues,“ ka theksuar Gilmor.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-s,ë Lamberto Zanier tha se tashmë “OSBE ka nisur përgatitjet për organizimin e qendrave të votimit për t’iu mundësuar votuesve në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në këto zgjedhje.”

U bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga provokimet dhe të lejojnë që votimi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, ka thënë Zanier.

Qeveria e Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e 6 majit.

Ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane, thuhet në një njoftim për media të ekzekutivit kosovar.

"Ky veprim është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.

"Gjatë kësaj dite do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë aktuale të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas", sqaron përmes komunikatës për media, Qeveria e Kosovës.

"Vendimi i OSBE-së reflekton qëndrimet dhe parimet e panegociueshme dhe vijat e kuqe të Republikës së Kosovës për këtë çështje. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia është pajtuar që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhje në Kosovës, 13 vite pas përfundimit të luftës", ka sqaruar ekzekutivi kosovar.

"OSBE-ja po e ndërmerr një veprim të tillë me kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që i takojnë komunitetit serb dhe kanë dyshtetësi, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës", thuhet në fund të deklaratës së Qeverisë së Kosovës.

Zgjedhjet lokale, presidenciale dhe parlamentare të Serbisë mbahen më 6 maj.

Autoritetet kosovare kanë lënë të kuptohet se duke marrë për bazë parimin e dyshtetësisë, serbët e Kosovës mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por jo edhe për ato lokale, të cilat politikanët serbë të veriut këmbëngulin që t’i mbajnë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG