Ndërlidhjet

Qeveria mirëpret marrëveshjen me OSBE-në


Mbledhje e Qeverisë së Kosovës

Mbledhje e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e 6 majit.

Ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane, thuhet në një njoftim për media të ekzekutivit kosovar.

"Ky veprim është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.

"Gjatë kësaj dite do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë aktuale të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas", sqaron përmes komunikatës për media, Qeveria e Kosovës.

"Vendimi i OSBE-së reflekton qëndrimet dhe parimet e panegociueshme dhe vijat e kuqe të Republikës së Kosovës për këtë çështje. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia është pajtuar që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhje në Kosovës, 13 vite pas përfundimit të luftës", ka sqaruar ekzekutivi kosovar.

"OSBE-ja po e ndërmerr një veprim të tillë me kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që i takojnë komunitetit serb dhe kanë dyshtetësi, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës", thuhet në fund të deklaratës së Qeverisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG