Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi e Rasmusen diskutojnë veriun


Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen

Kreu i ekzekutivit kosovar Hashim Thaçi dhe sekretari i përgjitshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen, janë pajtuar se duhet vendosmëri dhe angazhim për të shmangur incidentet ndëretnike në veriun e vendit.

Të paktën, kështu bëhet e ditur nga një komunikatë për media e Qeverisë së Kosovës, në të cilën thuhet se kyeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

“Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti qeveritar.

“Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë”, citohet të ketë thënë Thaçi, i cili thuhet se e ka informuar sekretarin Rasmusen se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar thellësisht në ndërtimin e një klime të mirëbesimit me qytetarët e saj në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e gjithanshme edhe në atë pjesë të vendit.

Në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës, thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka shprehur mbështetjen e NATO-s për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG