Ndërlidhjet

logo-print

FH: Kosova shënon përparim modest


Logo e Freedom House

Logo e Freedom House

Freedom House edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, por me një përparim modest duke marrë notën 49 nga 51, sa e kishte në vitin e kaluar.

Raporti i ri për Lirinë e Mediave i Freedom House, vëren se në Evropën Qendrore dhe Lindore, klasifikim ky ku hyn edhe Kosova dhe fqinjet e saj, është shënuar një rënie për dallim nga viti i kaluar.

Hungaria ka rrëshqitur nga vendi i lirë, në atë me liri të pjesshme të shtypit.

Maqedonia thuhet se ka shënuar ulje të madhe, sikurse edhe Ukraina.

Përmirësimet e vetme të vogla, sipas raportit, janë shënuar në Kosovë, Mal të Zi dhe Gjeorgji.

Për Kosovën është përmendur si përmirësim rënia e trendit të sulmeve ndaj gazetarëve si dhe transparenca më e madhe e pronësisë së mediave.

Zëvendëspresidenti për strategji dhe analiza në Freedom House, Kristofer Uoker shpjegon:

“Derisa kemi qenë në vitet e fundit të shqetësuar në lidhje me dhunën kundër gazetarëve dhe në disa raste mungesën e energjisë në reagimin e autoriteteve për t'u marrë me këtë çështje, kemi parë një lehtësim të kësaj, relativisht këtrë vit, dhe po ashtu hapat që janë ndërmarrë për të rritur transparencën e pronësisë në mediave, që është një çështje për tërë rajonin. Kjo i ka kontribuar një përparimi modest në velrësimin për Kosovën këtë vit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kristofer Uoker.

Ngjashëm si Kosova, edhe vendet e rajonit gjenden në kategorinë e shteteve me liri të pjeshme të shtypit.

Shqipëria në raportin e fundit ka marrë notë më negative sesa Kosova, 51, Maqedonia 54, ndërkaq, në gjendje më të mirë vlerësohet të jetë liria e shtypit në Bosnjë e Hercegovina me notën 48, e edhe më lart, gjendet Mali i Zi e Serbia të dy këto shtete kanë marrë notën 35.
XS
SM
MD
LG