Ndërlidhjet

logo-print

Ende pa zgjidhje për nenet e kontestuara nga gazetarët


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Kodi i ri Penal, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene, ai 37 dhe 38, që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që t'i zbulojnë burimet e tyre të informacionit në raste të procedimeve kriminale, ende nuk kanë arritur në zyrën e presidentes së Kosovës.

Këtë ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë, Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Atifete Jahjaga.

Kodi nuk ka ardhur ende në zyrën e Presidencës. Por, kurdo që të vijë, ai do të shqyrtohet me kujdes dhe ai do të analizohet. Posaçërisht do të shqyrtohen dy nenet e debatueshme dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me të gjitha palët”, është shprehur Vllahiu.

Ndryshe, zyrtarët e nën-komisionit për mandatet, imunitetin dhe rregulloret e punës, kanë theksuar se afati për dorëzim të Kodit Penal në Presidencë është 15 ditë.

Janë bërë njëmbëdhjetë ditë që nga miratimi i Kodit Penal nga Kuvendi i Kosovës, ndërkohë që mbeten edhe 4 ditë të tjera deri në skadim të afatit.

Në anën tjetër, gazetarët dhe përfaqësuesit e medieve të shtypura dhe elektronike, i kanë kundërshtuar nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, për shkak se, sipas vlerësimeve të tyre, ato jo vetëm që e rrezikojnë punën e tyre, por edhe i penalizon ata gjatë kryerjes së temave hulumtuese.

Ditë më parë ata janë takuar edhe me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, prej së cilës, siç kanë theksuar ata, në mënyrë të argumentuar kanë kërkuar që ajo ta kthejë Kodin Penal në Kuvendin e Kosovës që të rishikohet dhe të hiqen dy nenet, që i kontestojnë gazetarët.

Arben Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, ka shprehur bindjen se një gjë e tillë edhe do të ndodhë.

Tashmë jemi të bindur që Kodi do të rikthehet në Kuvend dhe do të rishikohet. Realisht, ne kërkojmë që të hiqen të dy nenet, të cilat janë shumë të kontestuara dhe shumë të pakuptimta. Momentalisht, po zgjat ai procesi i ‘spastrimit teknik’, që e quajnë në Kuvend, sa herë që miratohet një ligj”.

I ka thyer të gjitha rekordet e zgjatjes, por duket se të gjithëve u ka konvenuar që të shkojë procedura pak më ngadalë, në mënyrë që, duke i dhënë vetes kohë, të mund të gjejnë ndonjë arsyetim për dy nenet, të cilat e fundosin lirinë e shtypit”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se tashmë kanë ofruar mjaft arsyetime të mira ligjore, të cilat, sipas tij, do t’i hedhin poshtë nenet kontestuese.

Baza ligjore, të cilën ne ia kemi ofruar Presidencës, është e pakontestueshme. Janë 6 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat shkelen me anë të këtyre dy neneve ‘të famshme’".

"Pastaj, shkelet akti i Bashkimit Evropian, i vitit 2007; shkelet vendimi i Këshillit të Evropës, i vitit 2000. Ka bazë të mjaftueshme ligjore që të kthehet prapa dhe realisht të mos mund të arsyetohen këto dy nene”, ka sqaruar Ahmeti.

Ndërkaq, eksperti për çështje juridike, Riza Smaka, ka vlerësuar se të dy nenet e Kodit Penal, të cilat i kontestojnë gazetarët, janë në kontradiktë me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, zgjidhja më e arsyeshme dhe e drejtë, në këtë rast, do të ishte që presidentja e vendit t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës në rishqyrtim Kodin Penal dhe të eliminohen nenet e kontestuara.

Këto dy nene, që janë problematizuar me vend, janë në kontradiktë me parimet themelore të Kushtetutës, që i referohen informimit të mirëfilltë, të lirshëm, të papenguar të qytetarit”.

Ky është parakusht për t’u informuar, se sa dhe si do të duhej qytetari, lexuesi, dëgjuesi. Pa gazetarë hulumtues nuk ka gazetari. Pakkush do ta lexonte edhe atë shtyp që e lexon sot”, ka vlerësuar Smaka.

Ndryshe, që nga pranimi i Kodit Penal prej Kuvendit të Kosovës, presidentja e vendit ka afat prej 8 ditësh që ta shqyrtojë këtë Kod, dhe ta nënshkruajë për futje në fuqi ose ta kthejë përsëri në Kuvendin e Kosovës për rishikim.

Thirrje presidentes së Kosovës për t’i hequr nenet kontestuese i ka bërë edhe Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, njëkohësisht edhe zëvendëskryeministër.

Ai ka paralajmëruar dorëheqjen nëse Kodi Penal i ri i Kosovës, me dy nene kundërthënëse 37 dhe 38, miratohet si i tillë.

Ndërkaq, mediat në Kosovë kanë paralajmëruar se më datën 3 maj, kur shënohet Dita e Lirisë së Shtypit, do ta bojkotojnë në tërësi punën e institucioneve të Kosovës në shenjë pakënaqësie me miratimin e Kodit të ri Penal.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG