Ndërlidhjet

logo-print
Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen me shkallë të lartë të papunësisë.

Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, papunwsia arrin në 38 për qind, derisa përfaqësues të punëtorëve dhe organizatat joqeveritare, thonë se kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, dhe atë mbi 60 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, papunësia e lartë ka bërë që 34 për qind e popullsisë në Kosovë të jenë të varfër dhe të jetojnë me 1.5 euro në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë.

Ndërkaq, Kosova, sipas hulumtimeve të bëra, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë.

Pjesa më e madhe e të papunëve në Kosovë janë të rinj dhe me nivel të arsimit të mesëm.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ditën Ndërkombëtare të Punës ka vendosur ta shënojë në heshtje.

Zyrtarët e këtij mekanizimi që mbron të drejtat e punëtorëve, thonë se nuk po protestojnë, pasi që, siç thonë ata, të gjitha pakënaqësitë e tyre po arrijnë t’i zgjidhin edhe përmes dialogut.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, thotë se protesta është arma e fundit që përdorin për të shprehur pakënaqësitë ë tyre.

Ai thekson se kur kanë organizuar protesta për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth papunësisë apo çështje të tjera që kanë të bëjnë më punëtorët, numri i protestuesve ka qenë shumë i vogël.

Ne, pas luftës i kemi bërë tri protestat. Do t’i veçoja ato të vitit 2010 dhe 2011. Në protestën e fundit ka pasur një numër jo të mjaftueshëm të protestuesve, që do të mund të bënim diçka përmes protestave. Deri më tani kemi pasur numër të vogël që kanë dalur të na përkrahin”, thekson Arifi.

Përmes dialogut me Qeverinë e Kosovës, Haxhi Arifi thotë se brenda dy vjetëve kanë arritur t’i realizojnë shumë kërkesa të tyre, siç është miratimi i Ligjit të Punës, ngritjen e pagave, funksionalizimin e këshillit ekonomik social dhe disa kërkesa tjera.

Megjithatë, Arifi nuk përjashton mundësinë e organizimit të protestave në të ardhmen.

Ai thotë se janë duke i bërë përgatitjet që brenda dy muajve të ardhshme të mbahet një protestë me kërkesën për rritje e vendeve të lira të punës.

Arma e BSPK-së për zgjidhjen e problemeve është dialogu. Ne do të dialogojmë deri sa të shteren të gjitha mundësitë, dhe në asnjëherë nuk do t’i ikim edhe protestës, nëse ka nevojë. Por, protesta është arma e fundit, sepse edhe pas mbajtjes së protestës apo grevës, duhet prapë të ulemi dhe të bisedojmë”, thekson ai.

Ndryshe, në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.
Për të ulur këtë numër të të papunëve, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka punuar në trajnimin e këtyre të papunëve, dhe përmes projekteve të ndryshme me organizatat ndërkombëtare, janë mundur që të bëjnë punësimin e tyre.

Një problem tjetër me të cilin ballafaqohet punëtoria kosovare është edhe mosrespektimi i të drejtave të punëtorëve.

Kosova, vetëm që nga janari i viti 2011 ka Ligjin e Punës.

Ky ligji, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka ndihmuar që të drejtat e punëtorëve të respektohen më shumë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi shprehet:

Realisht, sot punëtorisë kosovare iu kanë përmirësuar kushtet e punës. Kemi Ligjin e Punës, i cili garanton dhe mbron të drejtat e punëtorëve, në veçanti të sigurisë në punë. Ky ligj i ofron punëtorisë kosovare kushte të mira”, thekson ai.

Gaxhiqi thotë se 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, e gjen Kosovën në një situatë shumë më të mirë se sa që ishte vite më parë.

Në bazë të statistikave që ka ministria, shkalla e papunësisë është 38 për qind, por ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që këtë nivel të papunësisë ta ulim”, bën të ditur Gaxhiqi.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë vazhdimisht kanë theksuar se papunësia në Kosovë, për vite të tëra nuk ka shënuar ulje, si pasojë e zhvillimit të ulët ekonomik.

Kryesisht, në mbare botën, 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, shënohet me protesta.

Dita e punës është festë ndërkombëtare, e cila i kushtohet luftës për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve.

Festohet në ditën e parë të majit në shenjë respekti ndaj viktimave të protestës, që u mbajt prej 1 deri 4 maj të vitit 1886 në Çikago.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG