Ndërlidhjet

logo-print

"Thjesht, te shqiptarët është shumë e qartë që kjo përkrahje do të bëhet për shkak të diskriminimit që vjen nga niveli qendror. Diskriminimi ndaj shqiptareve ishte bërë edhe në faza të mëhershme nga zoti Nikoliq - kur ai ishte në partinë radikale. Por diskriminimi po vazhdon edhe në këto periudha të udhëhequra nga zoti Tadiq", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi, kanë mbetur edhe pak ditë deri te data e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në të tria nivelet. Ku janë partitë politike shqiptare dhe cilat janë shqetësimet kryesore të cilat synon pushteti i ardhshëm lokal t’i adresojë?

RIZA HALIMI
Po, këtu shqiptarët e të gjitha subjekteve politike marrin pjesë në zgjedhjet lokale, ndërsa, në ato parlamentare, shumica prej diku 60% e subjekteve politike merr pjesë në zgjedhje. Të tjerët i bojkotojnë. E tash sa i përket pushtetit lokal, këtu dallojnë situatat në të tri komunat: në Preshevë, Partia për Veprim Demokratik synon thjesht ndryshime pozitive, meqë në dy mandatet e kaluara ka qenë në opozitë, dhe këtu ka probleme të renda të ndjeshme jetësore, që kërkojnë zgjidhje urgjente.

Si në Bujanoc, edhe në Preshevë, ju e dini që ka një lëvizje të madhe në drejtim të Evropës pas liberalizimit të vizave. Është thjesht të thuash një pastrim i qetë etnik në këto troje që ka filluar menjëherë pas luftës, por në mënyrë perfide po vazhdon e po intensifikohet pas liberalizimit të vizave. Është e qartë se këtu, në nivelin lokal, ka shumë probleme, siç janë ato që flasin për zhvillim ekonomik-kërkohet dalja nga një gjendje shumë e rendë ku papunësia është mbi 70%.

Probleme të theksuar janë edhe në shëndetësi edhe në arsim edhe në shumë sferat të tjera të jetës. Dhe të gjitha këto është e pa mundur të zgjidhen vetëm më forcën e pushteti lokal që edhe ashtu nuk ka shumë kompetenca. Kështu ishte e domosdoshme që së pari edhe në nivelin qendror, edhe pse nuk kemi shansa, më tepër se një përfaqësues, por megjithatë mendojmë se zero ynë duhet të dëgjohet edhe në nivelin qendror, që të tentohet që me forca të përbashkëta të dilet nga një gjendje shumë e vështirë në Preshevë e në Medvegjë.

Medvegja është para pastrimit të plotë etnik. Në Bujanoc kemi një situatë më të volitshme, me që kemi pas një qeverisje me të suksesshme, por e them edhe një herë që nuk mjaftojnë vetëm kapacitete dhe forcat e pushteti lokal për ta dalë nga një gjendje shumë e vështirë në të cilën Lugina e Preshevës gjendet aktualisht. Vazhdon diskriminim i nivelit qendror edhe me tutje ndaj popullatës shqiptare, prandaj si rezultat i kësaj gjendjeje të paperspektivë, shpesh të rinjtë nuk kanë një zgjidhje tjetër veç të migrojnë.

Ky sigurisht do të duhej të ishte angazhimi kryesor i partive politike që ky trend të ndërpritet sa më shpjet dhe të krijohen kushtet për një jetë normale dhe të ndërrohet ky trend shumë i rrezikshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi, flasim pak për zgjedhjet presidenciale, të cilat, po ashtu mbahen në të njëjtën ditë si ato parlamentare dhe lokale. Sa ka rëndësi për ju nëse do të fitojë Partia Demokratike e Serbisë apo nacionalistët opozitarë të Partisë Përparimtare Serbe?

RIZA HALIMI
Po tash prefiksi nacionalist sa vlen për njërën, aq vlen edhe për tjetrin bllok. Në aspektin politik, si ndaj çështjes së Kosovës, si ndaj çështjes së pakicave dhe shumë çështjes politike, janë përafruar gati janë në një pikë-këto dy blloqe, pa marr parasysh se disa janë nga 5 tetori në oreolin e demokratëve, kurse të tjerët që dolën nga radikalet e Sheshelit.

Por, mjerisht, në Serbi lëvizjet politike shumë ngadalë bëhen, edhe pse Serbia është bërë kandidate për integrime evropiane. Këtu ka shumë punë për t’u bërë. Ende, për shembull, idetë pak më progresive të zotit Jovanoviq këtu nuk kanë shanse. Ende Serbia nuk është gati për ide të tilla ku do të kishte transformime më të mirëfillta demokratike.

Kështu që, sa i përket pozicioneve tona nuk kemi as një përfitim as nga njeri as nga tjetri bllok. Në këto momente në shenjë të solidariteti e mbështesim kandidatin që ka dal nga Sanxhaku për shkak të afërsisë ngjashmërisë së problemeve. Them se do të përkrahet kandidati presidencial Zukolliq si proteste politike.

Thjesht, te shqiptarët është shumë e qartë që kjo përkrahje do të bëhet për shkak të diskriminimit që vjen nga niveli qendror. Diskriminimi ndaj shqiptareve ishte bërë edhe në faza të mëhershme nga zoti Nikoliq- kur ai ishte në partinë radikale. Por diskriminimi po vazhdon edhe në këto periudha të udhëhequra nga zoti Tadiq.

Thjesht shqiptaret për këto dy opsione nuk janë të interesuar në total, si në të kaluarën do ta bojkotojnë. Por, tash mund të këtë disa ndryshime, mund të ketë vota Myftia Zukolliq, për shkak të pozitave të ngjashme që i kanë boshnjaket në Sanxhak me ato të shqiptareve në Luginën e Preshevës. Por, problemet te ne këtu janë më të theksuara dhe më të ashpra.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni kërkuar nga autoritetet në Serbi që shqiptaret e luginës të trajtohen njësoj siç trajtohen serbët në Kosovë. A mendoni se do të ndodh diçka e tillë?

RIZA HALIMI
Do të jetë një rrugë e vështirë dhe e mundimshme. Ju e dini se ne në një kohë të gjatë, edhe gjatë sistemit –regjimit të ashpër të Millosheviqit, po edhe me herët edhe tash pas 5 tetorit, ne ballafaqohemi me probleme të ndjeshme të rënda jetësore. Kur Kushtetuta e Kosovës edhe Qeveria e Kosovës edhe e terë Bashkësia Ndërkombëtare bëjnë gara për të përmirësuar gjithnjë e më tepër pozitën tyre ( të serbeve në Kosovë), kurse pozita e shqiptareve në Luginën e Preshevës gjithnjë e më tepër po margjinalizohet.

Në ketë drejtim, parimisht të drejtat i kemi të njëjta. Shqiptarët në Luginën e Preshevës në vitin 91, kur ka qenë regjistrimi ta them i fundit që serbët e kanë bërë në Kosovë në katër komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveqan dhe po ta marrim më Mitrovicën në tersi, diku në vitin 91 kanë jetuar 37 mijë serb. Në të njëjtën kohë me regjistrimin prapë të Serbisë në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë kanë qenë 67 mijë shqiptar.

Nuk ka asnjë argument relevant që e arsyeton mungesën e ofrimit të të gjitha përparësive, privilegjeve dhe të gjitha të drejtave kolektive të nivelit më të lartë që njehe e drejta ndërkombëtare, për serbët në Kosovë. Kurse, fare këto çështje nuk po diskutohen aktualisht as në bisedat që po zhvillohen në Bruksel ( në mes të Prishtinës dhe Beogradit) kur janë në pyetje shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kjo u dëshmua me këto marrëveshjet që kishin të bëjnë më lëvizjen e lirë, sepse ndodhi e kundërta. Ne tash jemi më të kufizuar se kurdoherë. Në të kaluarën tonë edhe për shkak të politikave të sigurimit edhe për shkak të asaj se vetëm kalimi në Konqul është kalim i rregullt në të gjitha kalimet e tjera shqiptaret kanë vështirësi të mëdha të qarkullojnë të lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni kërkuar angazhimin e institucioneve kosovare për të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Luginës së Preshevës? Sa është duke u bërë në këtë drejtim?

RIZA HALIMI
Ne jemi dëshmitarë se diku 500 milionë euro në vit nga buxheti i Serbisë plasohen për nevojat e serbëve në Kosovë por natyrisht se është iluzore që ne të kërkojmë diçka të tillë nga buxheti i Kosovës.

Megjithatë, ka mundësi të ketë një përkushtim më të madh e të mos ndodhin këto gabime që ndodhën tash me polisat e sigurimit dhe ma merr mendja se kjo (do të duhej të zgjidhej) në të gjitha këto bisedat që po zhvillohen në Bruksel për zgjidhjen e problemeve jetësore.

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara nuk është adresuar vetëm për të drejtat e serbëve në Kosovë, por flitet për të drejtat që kanë qytetarët në Kosovë dhe Serbi. Shqiptarët në Serbi kanë momentalisht probleme shumë më të mëdha se sa që kanë serbët që jetojnë në Kosovë.

Pikërisht një politikë pro-aktive e Qeverisë së Kosovës, bazuar në parimin e theksuar të reciprocitetit, do të duhej të kërkohet dhe zbatohet. Nuk ekziston asnjë argument valid që do t’i jepte përparësi serbëve në Kosovë në krahasim me atë që duhet ta kenë shqiptarët në Luginën e Preshevës apo në Serbi në përgjithësi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG