Ndërlidhjet

Liria e mediave - Maqedonia shënon rënie


Ilustrim
Ilustrim

Në raportin më të ri për lirinë mediave të Fredoom House, Maqedonia ka shënuar rënie të ndjeshme.

Ajo edhe në këtë raport bën pjesë në grupin e shteteve si pjesërisht të lirë në fushën mediatike, por për dallimi nga raporti i kaluar, ku ndodhej në pozitën e 96-të, tani ajo radhitet në vendin e 115 - apo thuajse 20 vende më keq se raporti paraprak.

Drejtuesit e mediave dhe ekspertët e kësaj sfere shprehen të shqetësuar lidhur me këto të dhëna dhe ritmin e përshpejtuar të ngufatjes së shprehjes së lirë nga ana e pushtetit aktual.

Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm” dhe përfaqësues i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, thotë se me hapat që po ndërmerr pushteti, gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Më brengosës është fakti se në procedurë janë disa ligje të cilat në vend se të përmirësojnë situatën e mediave, ato parashohin kufizime të reja që me siguri se vitet e ardhshme do të sjellin rënie edhe më të madhe të Maqedonisë në listën jo vetëm të organizatës prestigjioze Fredoom House, por dhe të organizatave tjera ndërkombëtare”, deklaron Saliu, duke aluduar në kufizimet që parashihen në ligjin për punën e mediave të huaja, si dhe kufizimet për mediat e vendit në ligjin tjetër që po përgatit Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ndërkohë, Sanja Kramaska, kryeredaktore e gazetës, “Utrinski Vesnkik”, thotë se është shokues lajmi për rënien kaq të madhe të lirisë së mediave në vend.

Këtë gjendje ajo e ndërlidh me varshmërinë ekonomike të mediave, pronarët e të cilëve, me përjashtime të vogla, janë të lidhur me politikën.

Ne të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për përmirësimin e kësaj gjendjeje që nuk është aspak e mirë, është dekurajuese. Kur them të gjithë, mendoj edhe qeveria, e cila duhet të krijojë një ambient për media të lira, pastaj për pronarët e mediave, redaktorët, e kështu me radhë”, thotë Kramaska.

Analisti, Xhelal Neziri, thotë se ngufatja e lirisë së mediave, censurimi i gazetarëve, imponimi i vetcensurimit, janë prioritete kryesore të pushtetit aktual, i cili, për të arritur këto synime, nuk zgjedh mjete.

Kjo gjendje nuk është e rastësishme pasi qeveria ndan shuma të mëdha të parave për mediat që janë të besueshme dhe të dëgjueshme ndaj qeverisë. Në anën tjetër, ajo izolon të gjitha të tjerat që kanë një qasje kritike ndaj saj. Kemi rastin e freskët me shuarjen dhe intervenimin brutal të politikës së institucioneve mbi tre media e pavarura që funksiononin deri dje”, thotë Neziri.

Mediat duhet të lirohen nga ndikimet partiake, thonë ndërkohë, analisti Marko Trashanovski, pasi edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka dhënë vlerësime negative për gjendjen e mediave në vend.

Ndërkohë, nga qeveria kanë paralajmëruar sjelljen e një rregullative të re, që sipas saj do të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Bashkimit Evropian.

Versioni që po përgatitet ende nuk është prezantuar, por, mediat kanë shprehur dyshime se edhe kjo zgjidhje nuk do të eliminojë ndikimet politike ndaj punës së mediave.
XS
SM
MD
LG