Ndërlidhjet

logo-print

WP: Edhe sa duhet të presin sirianët?


Siri...

Siri...

"Washington Post"

Shtetet e Bashkuara duket të kenë dy plane për t’u marrë me atë që duket se shpejt do të bëhet luftë civile në Siri.

Plani A bën thirrje për zbatimin e plotë të armëpushimit të sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe për bashkëpunim të diktatorit Bashar al-Asad. Plani B, në anën tjetër, parasheh përgjigje ushtarake përmes fuqisë ajrore.

Për t’u implementuar ky i fundit, plani A duhet të dështojë dhe më shumë sirianë duhet të vdesin.

Se sa sirianë duhet të vdesin, këtë askush nuk mund ta thotë. Por, duket mjaft qartë se numri, tani për tani prej rreth 9,000 personash, duhet të rritet para se Shtetet e Bashkuara, NATO-ja e ndoshta edhe turqit e sauditët të ndërmarrin hapa për të ndaluar masakrën.

Disa media kanë raportuar për “më shumë se 500 të vrarë” që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 12 prill. Ky armëpushim është më shumë zjarr sesa pushim.

Pak njerëz në Uashington kanë besim në planin e Kombeve të Bashkuara, të avancuar nga ish-sekretari i përgjithshëm, Kofi Anan. Ai ka bërë atë çfarë ka qenë i stërvitur ta bëjë – të kërkojë mocionet e paqes. Nganjëherë një gjë e tillë bën punë, nganjëherë jo.

Koha tani nuk është në anën e moderimit apo të rehatisë. Sa më gjatë që vazhdojnë vrasjet, forcat anti-Asad bëhen më radikale dhe më ekstreme.

Inteligjenca që fillimisht ka mbështetur lëvizjen, do të margjinalizohet nga ekstremistët islamikë – vullnetarët nga vendet arabe fqinje që nuk durojnë dot Asadin dhe laicizmin e tij.

Ashtu si edhe Sadam Huseini, fqinji i tij i ndjerë, Asadi dhe familja e tij kanë qenë për kohë të gjatë në konflikt me Vëllazërinë Myslimane dhe organizata të ngjashme. Në vitin 1982, babai i Asadit ka vrarë rreth 20,000 persona në bastionin e Vëllazërisë në Hama. Tani është koha e shpagimit.

Ata që u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të tregojnë muskujt në diplomacinë e tyre – madje duke bombarduar pozicionet e ushtrisë siriane dhe duke vendosur zonën e ndalim-fluturimit – duhet të pranojnë vështirësitë.

Sistemi i mbrojtjes ajrore të Sirisë është i gjerë, i projektuar nga rusët për të penguar sulmet izraelite. Përbërja e opozitës siriane është kryesisht e panjohur. Por, më shumë shqetësuese është se Siria ka rezerva të mëdha të armëve kimike dhe biologjike.

Armët nuk janë përdorur ende, por regjimi, për të luftuar për jetën e tij, mund të përdorë çdo gjë në dispozicion. Sadami e ka bërë këtë kundër kurdëve.

Megjithatë, asnjëra nga këto nuk është e pakapërcyeshme. Izraeli ka qenë në gjendje të bombardojë një reaktor të dyshuar bërthamor të Sirisë më 2007, me sa duket pa humbur asnjë aeroplan të vetëm. Dhe çfarëdo që mund të bëjë Izraeli, mund të bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara.

Në “Dimrin e Pragës”, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Medllin Ollbrajt, ka theksuar rëndësinë e lidershipit apo të mungesës së tij në çështjet botërore. Si grua, ajo ka lindur në Çekosllovaki dhe është vajza e Jozef Korbelit dhe Ana Shpiegelovas. Si diplomate, ajo është vajza e Mynihut – marrëveshjes famëkeqe që ktheu pjesë të vendit të saj nën Gjermaninë naziste.

Analogjia e Mynihut mund të zmadhohet. Jo çdo veprim ushtarak është një moçal. Moçali mund të shmanget me përdorimin e forcës ajrore.

Intervenimet ushtarake në Bosnjë, Kosovë dhe Libi nuk kanë kërkuar çizme në terren. Ato kanë përfunduar kur kanë mbaruar punë – një strategji e shkëlqyer dalëse.

Revolucioni në Siri po rrëshqet në diçka të tmerrshme. Sa më shumë që zgjat, më shumë njerëz vdesin dhe shanset që ai të kalojë përtej kufijve, janë më të mëdha.(v.t.)
XS
SM
MD
LG