Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe - BE apelon për qetësi në Kosovë

  • RFE /RL

BE...

BE...

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë rritur vigjilencën rreth situatës në Kosovë në prag të zgjedhjeve të Serbisë, të cilat të dielën e ardhshme do të zhvillohen edhe në territorin e Kosovës.

Fushata e zgjedhjeve dhe dita e votimeve gjithmonë rrisin mundësitë e tensionimit të situatës, prandaj këto dy organizata thonë se janë duke bërë përpjekje që të mos ketë tensionime të mëtejme.

Në këtë aspekt, nga Brukseli është përshëndetur edhe marrëveshja e fundit e arritur, sipas të cilës OSBE-ja do të lehtësojë votimet në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Këtë e ka përshëndetur të martën edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Kethrin Eshton.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së mirëpret marrëveshjen e arritur për lehtësimin nga ana e OSBE-së për votimet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, dhe shpreh mirënjohjen e saj dhe mbështetjen e plotë për OSBE-në, që të kryejë punën në cilësinë e lehtësuesit, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i baroneshës Eshton.

Ajo më tej thotë se fton si Prishtinën, ashtu edhe Beogradin që të vazhdojnë bashkëpunimin me OSBE-në me vullnet të mirë, në mënyrë që votimet të kalojnë me një situatë të zakonshme dhe paqësore.

Eshton, po ashtu, fton që të gjithë të përmbahen nga ccfarëdo veprimi, i cili do të mund të nxiste tensione.

Në fund të prononcimit të saj, për zgjedhjet e Serbisë që do të zhvillohen në territorin e Kosovës, Kethrin Eshton thotë se EULEX-i do të vëzhgojë situatën e sigurisë, dhe të zbatojë mandatin e vet në bashkëpunim të ngushtë edhe me akterët tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë.

Në Bruksel vazhdojnë të jenë të shqetësuar për mundësinë e tensionimit të situatës në disa pjesë të territorit të Kosovës, prandaj, si në NATO, ashtu edhe në BE, thonë se janë intensifikuar kontaktet me autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, për të kërkuar nga të dyja palët që të ndihmojnë në evitimin e tensionimeve të mëtejme.

Për këtë arsye, NATO-ja edhe ka shtuar numrin e ushtarëve të saj në Kosovë, në ditët e votimeve serbe.

Disa shtete të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, po ashtu thuhet se u kanë sugjeruar shtetasve të tyre që të evitojnë udhëtimet e panevojshme në disa pjesë të Kosovës, duke menduar kryesisht në pjesën veriore të vendit, në këtë periudhë.
XS
SM
MD
LG