Ndërlidhjet

Obama: Kohës së luftës po i vjen fundi


Obama në bazën ajrore në Bagram
Obama në bazën ajrore në Bagram
Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se “koha e luftës” po përfundon dhe se disfata e al-Kaidës tash “është afër”.

Në fjalimin e tij televiziv në kohën më të shikuar në Shtetet e Bashkuara, ai foli nga baza ajrore Bagram në Afganistan, ku mbrëmë vonë arriti në një vizitë të paparalajmëruar.

Amerikanët e mi të nderuar, ne kemi udhëtuar për më tepër se një dekadë nën mjegullën e zezë të luftës. Tash këtu, para agimit në Afganistan, mund të shohim dritën e një dite të re në horizont”, tha Barak Obama.

Ai, në kryeqytetin Kabul, u takua me presidentin afgan, Hamid Karzai, pas nënshkrimit të marrëveshjes, me të cilën më gjerësisht rregullohen raportet ndërmjet dy vendeve, pas tërheqjes së trupave të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, e paraparë për fundin e vitit 2014.

Marrëveshja e cila është arritur pas negociatave që zgjatën me muaj të tërë, i rregullon raportet Shtetet e Bashkuara – Afganistani, në sferën e sigurisë, qeverisjes dhe ekonomisë dhe nënkupton tranzicionin e Shteteve të Bashkuara, nga prania e jashtme në luftë, në një partner të afërt për Afganistanin sovran.

Sipas marrëveshjes, Uashingtoni nuk përkushtohet për ndonjë prani specifike të ushtarëve, por lejon që Shtetet e Bashkuara potencialisht t’i mbajnë trupat në Afganistan, pas luftës, për dy arsye specifike, tha Obama.

Brenda kësaj kornize, ne do të punojmë me afganët për të përcaktuar se çfarë mbështetjeje atyre u duhet për të arritur dy misione të sigurisë pas 2014: kundër-terrorizmin dhe stërvitjen e vazhdueshme. Por ne nuk do të ndërtojmë baza të vazhdueshme në vend, e as nuk do të patrullojmë në qytete dhe male. Kjo do të jetë detyrë e popullit afgan”, tha Barak Obama.

Po ashtu, marrëveshja nuk paraqet përkushtim për Uashington në ndonjë nivel specifik të shpenzimit, por premton mbështetje financiare për Kabulin për një dekadë, pas tërheqjes së afro 87 mijë ushtarëve amerikanë.

Në fakt, Shtëpia e Bardhë tha se sipas marrëveshjes, Uashingtoni përkushtohet “të kërkoj fonde nga Kongresi në baza vjetore për mbështetjen e stërvitjes, pajisjes, këshillimit dhe përgatitjes së Forcave Kombëtare të Sigurisë së Afganistanit dhe për ndihmë sociale dhe ekonomike”.

Në përkushtimet e Afganistanit përfshihen premtimi “për forcimin e përgjegjësisë, transparencës, mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë afganët, meshkujt dhe femrat”, ka shpjeguar Shtëpia e Bardhë.

Në fjalimin e tij televiziv nga Afganistani, zoti Obama e ka përsëritur thirrjen e tij për talibanët, që tu ribashkohen bisedave për pajtim të udhëhequra nga afganët dhe theksoi se administrata e tij ka qenë në kontakt direkt me talibanët.

Rruga për në paqe tash është para tyre”, tha Obama dhe shtoi se “ata që refuzojnë të ecin në këtë rrugë do të ballafaqohen me forcat e fuqishme afgane, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”.

Presidenti amerikan, po ashtu, i ka hedhur një vështrim samitit të ardhshëm të NATO-s në Çikago, më vonë këtë muaj, në të cilin do të synohet sigurimi i premtimeve për mbështetje financiare për Afganistanin.

Obama tha se në Çikago do të merret vendimi që forcat e sigurisë së Afganistanit ta marrin çështjen në duart e tyre në gjithë vendin në vitin 2013.

Kritikët e kanë shtruar pyetjen nëse afganët do të kenë kapacitet që t’i mbajnë nën kontroll kryengritësit, pas largimit të trupave ndërkombëtare.

Koha e vizitës së Obamës në Afganistan ishte shumë simbolike, derisa po shënohet njëvjetori i vrasjes së ish liderit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, i cili i kishte orkestruar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. (f. b.)
XS
SM
MD
LG