Ndërlidhjet

1957 – Osama bin Muhamed bin Avad bin Laden ka lindur në Riad. Ai ka qenë njëri nga më shumë se 50 fëmijët e një biznesmeni milioner. Për datën e saktë të lindjes, të dhënat janë kontradiktore.

1976-79 – Bin Ladeni studion menaxhimin dhe ekonomikë në universitetin e Xhadahit.

26 dhjetor 1979 – Bashkimi Sovjetik pushton Afganistanin.

1984 – Bin Ladeni përfshihet në një organizatë me seli në Peshauar të Pakistanit, që mbështeste vullnetarët arabë që vinin për të luftuar forcat sovjetike në Afganistan.

1986 – Bin Ladeni zhvendoset në Peshauar dhe formon brigadën e tij për luftëtarët vullnetarë.

1988- Forcat sovjetike largohen nga Afganistani.

- Themelohet Al Kaida, duke u bërë magnet për myslimanët radikalë që kërkojnë qeveri fundamentaliste në vendet e tyre. Ata bashkohen në urrejtje të përbashkët kundër Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe qeverive myslimane që janë aleate të SHBA-së.

1991 – Bin Ladeni kthehet në Arabinë Saudite. Më pas, mërgon në Sudan, duke kundërshtuar aleancën e mbretërisë me Shtetet e Bashkuara kundër Irakut.

Qershor 1993 – Familja e Bin Ladenit përjashton Osamën si aksionar në bizneset e saj, që fokusohen në ndërtimtari.

9 prill 1994 – Arabia Saudite, e zemëruar nga propaganda e Bin Ladenit kundër udhëheqësve të saj, i heq atij shtetësinë.

Maj 1996 – Bin Ladeni detyrohet të lërë Sudanin pas presionit të Shteteve të Bashkuara në qeverinë e tij dhe shkon në Afganistan.

Gusht 1996 – Bin Ladeni nxjerr Fatvan, apo dekretin fetar, sipas të cilit personeli ushtarak i Shteteve të Bashkuara duhet vrarë.

Shtator 1996 – Lëvizja Talibane themelon “Emiratin Islam” në Afganistan.

Tetor 1996 – Shtetet e Bashkuara emërojnë Bin Ladenin si të dyshuarin kryesor për bombardimet në Arabinë Saudite, që vrasin 24 shërbyes amerikanë dhe dy indianë.

7 gusht 1998 – Kamionë me bomba shpërthejnë pranë ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Nairobi dhe Dar es Salam, duke vrarë 224 persona, përfshirë 12 amerikanë.

20 gusht 1998 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, emëron Bin Ladenin si armikun kryesor të Amerikës dhe e ngarkon atë me përgjegjësinë bombardimeve në Nairobi dhe Dar es Salam. Shtetet e Bashkuara sulmojnë me raketa ato që Klinton i quan baza terroriste në Afganistan dhe Sudan. Njëri shkatërron një fabrikë farmaceutike në Khartum, pronari i së cilës mohon çdo lidhje me Bin Ladenin.

11 shtator 2001 – Tre aeroplanë të rrëmbyer përplasen në disa nga ndërtesat kryesore të Shteteve të Bashkuara, duke shkatërruar Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe dëme në Pentagon. Aeroplani i katërt i rrëmbyer rrëzohet në Pensilvani. Afro 3,000 njerëz humbin jetën. Në një video të publikuar më vonë, Bin Ladeni thotë se shembja e Kullave Binjake ka tejkaluar pritjet e Al Kaidës.

17 shtator 2001 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, thotë se Bin Ladeni kërkohet “i gjallë ose i vdekur”.

7 tetor 2001 – Shtetet e Bashkuara sulmojnë Afganistanin e sunduar nga Talibanët.

Nëntor 2001 – Talibanët rrëzohen nga pushteti në Afganistan.

6 dhjetor 2001 – Forcat anti-talibane pushtojnë bazën kryesore të Bin Ladenit në malet Tora Bora, në lindje të Afganistanit. Bin Ladeni i shpëton kapjes.

10 shtator 2002 – Al Xhazira transmeton atë që thuhet se është zëri i Bin Ladenit, i cili i vlerëson rrëmbyesit e 11 Shtatorit si “burra që ndryshuan rrjedhën e historisë”.

Nëntor 2002 – Al Kaida merr përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Kenia, që hedhin në erë hotelin “Mombasa Paradise” – i mbushur me izraelitë – duke vrarë 15 njerëz dhe plagosur 80 të tjerë.

Shtator 2006 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, zotohet: “Amerika do të të gjejë” – (duke aluduar në Bin Ladenin).

Shtator 2007 – Bin Ladeni publikon video të re, të parën në afro tre vjet, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të ndjeshme me gjithë fuqinë e tyre.

18 maj 2008 – Bin Ladeni u bën thirrje myslimanëve të thyejnë bllokadën izraelite në Rripin e Gazës, i cili kontrollohet nga Hamasi, si dhe të luftojnë qeveritë arabe që bashkëpunojnë me Izraelin.

24 janar 2010 – Bin Ladeni, përmes një audio-mesazhi, merr përgjegjësinë për sulmin e dështuar të 25 dhjetorit në një aeroplan amerikan dhe zotohet se do të vazhdojë sulmet kundër Shteteve të Bashkuara.

25 mars 2010 – Bin Ladeni thotë se Al Kaida do të vrasë çdo amerikan të zënë rob nëse projektuesi i akuzuar i sulmeve të 11 Shtatorit, Khalid Sheik Muhamed, i mbajtur nga Shtetet e Bashkuara, ekzekutohet. Mesazhin e jep në një audio-incizim të transmetuar nga Al Xhazira.

21 janar 2011 – Bin Ladeni, përmes audio mesazhit, thotë se lirimi i pengjeve franceze, të mbajtura nga Al Kaida në Niger, varet nga largimi i ushtarëve francezë nga tokat myslimane.

2 maj 2011 – Bin Ladeni vritet nga forcat speciale të Shteteve të Bashkuara në Abotabad, 60 kilometra në veri të kryeqytetit pakistanez, Islamabad.

6 maj 2011 – Al Kaida konfirmon vdekjen e Bin Ladenit në një mesazh në Internet dhe zotohet se nuk do të heqë dorë nga lufta e armatosur.(v.t.)


Huazuar nga: Reuters


XS
SM
MD
LG