Ndërlidhjet

Edhe me statut, edhe me ushtrues detyre


QKUK
QKUK
Të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre të drejtorëve, për më shumë se dy vjet.

Konkursi për drejtorë të klinikave është anuluar me datën 18 janar, një ditë pasi që ishin shpallur emrat e drejtorëve të këtyre klinikave.

Anëtarët e grupit të ekspertëve për shëndetësi, pohojnë se kjo ndikon dukshëm me performancën e punëtorëve shëndetësorë, të cilët punojnë në QKUK, dhe kjo rrjedhimisht do të ketë pasoja edhe për qytetarët.

Ne mendojmë se QKUK-ja, sa i përket çështjes së menaxhimit, funksionimin e saj, kemi shprehur brengosje për moszgjedhjen e drejtorëve të klinikave, pasi që tash e dy vjet, klinikat udhëhiqen me ushtrues detyre të drejtorëve dhe mendojmë se kjo ndikon dukshëm me performancën e punëtorëve shëndetësorë që punojnë në QKUK, dhe kjo rrjedhimisht do të ketë pasoja pastaj edhe për qytetarët”, thotë Valbon Krasniqi, anëtar i grupit të ekspertëve për shëndetësi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Statuti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si akti më i lartë juridik, ka pësuar disa herë ndryshime. Më 5 prill të këtij viti, statuti është miratuar sërish.

Në anën tjëtër, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, pohojnë se funksionimi me ushtrues detyre të të gjitha klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare, ka ardhur si rezultat i ndërrimit të statutit disa herë.

Ministria ka nënshkruar statutin e ri si aktin më të lartë juridik të QKUK-së, me të cilin do të punojë kjo qendër. Tash mbetet të caktohet një dinamikë kohore se kur ajo do të jetë e gatshme të shpallë konkursin e ri, meqë të gjitha klinikat janë duke u udhëhequr me ushtrues detyre”.

I dini rrethanat si funksionon sistemi shëndetësor i Kosovës, dhe ka qenë një proces i ndryshimit të statutit të ri në përputhje me zhvillimet që kanë ndodhur në këtë qendër, dhe kjo ka ndikuar që të prolongohet ky proces”, thotë Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim, në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërkaq, Time Kadrijaj, anëtare e komisionit për shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pohon se Qeveria e Kosovës nuk e përcjellë fare punën brenda ministrive, andaj edhe ndodhin veprime të kundërligjshme brenda këtyre institucioneve.

Edhe qeveria ishte dashur ta përcjellë punën e ministrive, dhe të shikojë vendimet që sjellin ministritë. Shpeshherë ministritë sjellin vendime aspak profesionale dhe jo etike, por fatkeqësisht qeveria nuk e monitoron punën e ministrive përkatëse”, shprehet ajo.

Por, vetë ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se tashmë janë duke ndodhur lëvizje pozitive sa i përket stafit shëndetësor, dhe se kjo do të ndikojë në sistemin e reformimit shëndetësor.

Jemi duke e pritur miratimin e rregullores së punës nga qeveria, për organizimin e brendshëm, dhe do të miratojmë organogramin e Ministrisë së Shëndetësisë. Dhe, në kuadër të këtij organogrami, do të bëjmë një riorganizim përmbajtësor dhe thelbësor, në të gjitha departamentet e MSH-së, sepse në organizimin e tanishëm nuk jemi në gjendje të mbajmë tërë barrën e reformës së sistemit shëndetësor të cilën e kemi përpara”.

Ajo që ka ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë kohëve e fundit, është se janë realizuar disa vendime të këshillit të pavarur mbikëqyrës, të cilat nuk kanë qenë të realizuara në masën e plotë. Andaj, kemi marrë një shkresë nga këshilli i pavarur mbikëqyrës, i cili ka kërkuar që vendimet të realizohen në plotësi, dhe është bërë realizimi i këtyre vendimeve. Ne nuk jemi duke bërë ndryshime radikale në strukturën organizative të Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë Agani.

Ndërkaq, zonja Time Kadrijaj thotë se lëvizjet e pozitave brenda institucionit, nuk janë edhe aq frytdhënëse.

Ka staf profesional me përvojë të gjatë menaxheriale, por këto lëvizje nuk janë lëvizje që premtojnë shumë, për shkak se në momentin e caktimit të një zyrtari prej një pozite në pozitë tjetër, ku natyra punës është krejt ndryshe nga ajo paraprake, nevojitet kohë për ambientim, dhe kjo cilësohet si një punë jo kualitative".

"Do të ishte mirë që Ministria e Shëndetësisë t’i heqë postet me ushtrues detyre, sepse kjo nuk sjell ndonjë dobi për punën në sistemin shëndetësor”, shprehet ajo.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se kur të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare do të udhëhiqen me drejtorë, derisa ato tash e dy vjet janë duke i drejtuar ushtruesit e detyrës së drejtorëve.
XS
SM
MD
LG